< Neh 4 Neh 6 >
Lexim prej librit të Nehemisë(Neh 5)
5

1 Ankesë e madhe u ngrit aso kohe nga vegjëlia dhe gratë kundër vëllezërve të tyre çifutë.

2 Kishte nga ata që thoshin: “I kemi dhënë peng bijtë e bijat tona për drithëra e bukë që të mbetemi gjallë!”

3 Kishte të tjerë që thoshin: “Na duhet t’i lëmë peng arat, vreshtat dhe shtëpitë tona për të marrë drithëra në kohën e urisë.”

4 Tjerë pastaj thoshin: “Huazuam para për t’ia paguar tatimet mbretit për arat dhe vreshtat tona.

5 Mishi ynë është si mishi i vëllezërve tanë dhe si bijtë e tyre ashtu janë edhe bijtë tanë; por ne duhet t’i japim skllevër bijtë dhe bijat tona, madje disa prej tyre janë skllavëruar dhe nuk kemi se me çka t’i shpërblejmë, sepse arat dhe vreshtat tona janë bërë pronë e tjetërkujt.”

6 U hidhërova shumë kur e dëgjova ankesën e tyre dhe këto fjalë.

7 Pasi persiata mirë me mend, i prozhmova ashpër bujarët dhe krerët, me fjalët: “Ju po i ngarkuaki vëllezërit tuaj dhe po u merrkeni kamata!” Dhe kundër tyre thirra një kuvend të madh.

8 Dhe u thashë: “Ju e dini se ne, sipas mundësive tona, i kemi kthyer nga skllavëria vëllezërit tanë judenj, që u qenë shitur paganëve! Vallë, a do t’i shitni ju vëllezërit tuaj tani që ne do t’i shpërblejmë përsëri?” Heshtën se nuk ditën se si të përgjigjen.

9 Atëherë vijova: “Kjo që po bëni ju nuk është punë e mirë! Pse nuk ecni me frikën e Hyjit tonë që të shpëtojmë nga talljet e paganëve, armiqve tanë?

10 Unë, vëllezërit e mi dhe djelmoshat e mi, u dhamë para e drithëra hua shumë vetëve; nuk do t’ua kërkojmë më këto.

11 Kthejuani sot arat e tyre, vreshtat, ullishtat dhe shtëpitë e tyre dhe faluani përqindjen e parave, të grurit, të verës e të vajit që ua keni caktuar.”

12 Ata përgjigjën: “Do t’ua kthejmë dhe asgjë nuk do të kërkojmë prej tyre. Do të bëjmë siç po thua ti!” Unë atëherë i thirra priftërinjtë dhe i bëra të përbetohen se do të bëjnë siç u tha.

13 Për më tepër i shkunda shqekun e petkut tim dhe thashë: “Kështu e shkundtë Hyji nga shtëpia e vete dhe nga prona e tij, secilin prej jush që s’do ta mbajë këtë premtim! Kështu u shkundtë e gjë mos i mbettë!” Mbarë populli bërtiti: “Amen!” dhe i dha lavdi Hyjit. Populli e mbajti fjalën e dhënë.

14 Dhe, prej ditës kur mbreti më urdhëroi të jem qeveritar i tokës së Judës, nga viti njëzetë e deri në vitin tridhjetedytë të mbretërimit të Artakserksit, për dymbëdhjetë vjet, pra, as unë as vëllezërit e mi nuk e hëngrëm bukën e paraparë për qeveritarin.

15 Por qeveritarët e mëparshëm, që kishin qenë para meje, e kishin rënduar popullin dhe marrë prej tyre çdo ditë nga dyzet sikla të argjendit për bukë. Kështu edhe nëpunësit e tyre e kishin shtypur popullin. Unë nuk veprova kështu sepse e droja Hyjin.

16 Madje as nuk iu ndava rindërtimit të mureve e s’bleva asnjë copë tokë. Të gjithë djelmoshat e mi kanë qenë përherë aty, në punë vazhdimisht.

17 Në tryezën time kanë ngrënë judenj e bujarë, njëqind e dyzet burra si edhe të tjerët që vinin tek ne prej kombeve që ishin përreth nesh.

18 Përgatitej çdo ditë me shpenzimet e mia një ka, gjashtë desh të zgjedhur, pa numëruar shpendët, dhe çdo të dhjetën ditë sillej verë e shumtë për të gjithë. Për më tepër kurrë nuk i kërkova të ardhurat që më takonin si qeveritar, sepse populli edhe ashtu ishte tepër i rënduar.

19 O Hyji im, kujtohu, për të mirën time, për gjithçka që kam bërë për të mirën e këtij populli!



Fjala e Zotit