1 Kur ja, Koreu, biri i Isaharit të birit të Kaatit të Levit dhe Datani e Abirami, bijtë e Eliabit si edhe Honi, biri i Feletit prej bijve të Rubenit,
2 u çuan kundër Moisiut si dhe bij të tjerë të Izraelit, dyqind e pesëdhjetë burra, krerë të bashkësisë, anëtarë të këshillit, njerëz me zë.
3 U bashkuan kundër Moisiut e Aronit e thanë: “Tashmë mjaft se e tepruat! Të gjithë anëtarët e bashkësisë janë të shuguruar dhe Zoti është në mesin e tyre! Me ç’të drejtë e vëni veten përmbi bashkësinë e Zotit”?
4 Moisiu, si i dëgjoi këto fjalë, ra me fytyrë për dhe.
5 Atëherë i tha Koreut dhe njerëzve të tij: “Nesër në mëngjes Zoti do të njoftojë se cilët i përkasin atij dhe cilët janë të shuguruar dhe cilët kanë leje t’i afrohen. Ata që ai i ka zgjedhur do t’i lejojë t’i afrohen.
6 Pra, bëni kështu: Secili le ta marrë kemoren e vet, ti, Kore dhe njerëzit e tu,
7 mbushni nesër me zjarr e qitni kem në praninë e Zotit, dhe këdo që Zoti të zgjedhë, do të jetë i shuguruar. E tepruat veç, bijtë e Levit”!
8 E vazhdoi t’i thotë Koreut: “Dëgjoni, bijtë e Levit!
9 A thua ju duket pak se Hyji i Izraelit ju ndau veçmas prej mbarë bashkësisë e ju afroi pranë vetes që t’i shërbeni atij në shërbesën e Banesës së Zotit e të qëndroni në krye të mbarë bashkësisë e të shërbeni në vend të saj?
10 Prandaj të lejoi t’i afrohesh ti dhe të gjithë vëllezërit e tu, bijtë e Levit, e tani po kërkoni të merrni edhe priftërinë?
11 Ti dhe mbarë njerëzit e tu jeni bashkuar kundër Zotit! Pse, kush është Aroni që ju të murmuroni kundër tij”?
12 Atëherë Moisiu dërgoi ta thërrasin Datanin dhe Abiramin, bijtë e Eliabit, por ata përgjigjën: “Ne nuk vijmë!
13 A mos të duket pak që na nxore nga toka ku rridhte qumësht e mjaltë, për të na vrarë në shkretëtirë, por do edhe të zotërosh mbi ne?!
14 E vërteta është se nuk na çove në tokën që rrjedh rrëke qumështi e mjalti, s’na dhe për pronë as ara as vreshta! A mos do tani këtyre njerëzve t’ua nxjerrësh edhe sytë? Ne nuk vijmë”!
15 Atëherë Moisiu u hidhërua për së forti dhe i tha Zotit: “Mos i merr parasysh flitë e tyre, sepse ti e di mirë se as zog gomari nuk e kam marrë kurrë prej tyre dhe askujt prej tyre nuk i kam bërë kurrfarë të ke je”!
16 Moisiu i tha Koreut: “Ti dhe mbarë njerëzit e tu rrini së bashku para Zotit, po edhe Aroni, veçmas, ditën e nesërme.
17 Merrni secili kemoren e vet dhe qitni në të kemin për t’ia kushtuar Zotit: dyqind e pesëdhjetë kemore; ti edhe Aroni mbani secili kemoren e vet”.
18 Ata bënë ashtu e, ndërsa Moisiu dhe Aroni qëndronin në këmbë,
19 po edhe Koreu i rrethoi njerëzit e vet përballë tyre te dera e Tendës së takimit, të gjithëve iu dëftua Lavdia e Zotit.
20 Atëherë Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha:
21 “Ndahuni prej mesit të këtyre njerëzve që ta zhduk menjëherë”.
22 Por këta ranë me fytyrë për dhe e thanë: “O Hyj, Hyj që i jep shpirtin çdo njeriu, a thua se pse mëkatoi një njeri do të ndizet hidhërimi yt kundër të gjithëve”.
23 E Zoti i tha Moisiut:
24 ”Jepi urdhër mbarë popullit që t’u largohet banesave të Koreut, Datanit e të Abiramit”.
25 Moisiu u ngrit dhe shkoi te Datani e Abirami dhe pas tij shkuan pleqtë e Izraelit.
26 I tha popullit: “Largohuni prej banesave të këtyre njerëzve të patenzonë dhe mos prekni asgjë që është e tyre që të mos keni pjesë në mëkatet e tyre”.
27 Kur u larguan nga vendbanimi i tyre, Datani e Abirami dolën jashtë e qëndruan në hyrje të çadrave të tyre me gra e fëmijë e me foshnja.
28 Moisiu tha: “Me këtë gjë do ta merrni vesh se Zoti vetë më ka dërguar t’i kryej të gjitha këto gjëra që po shihni se i bëj dhe se nuk i bëj me nismën time:
29 nëse këta njerëz vdesin me vdekje të rëndomtë si njerëzit e tjerë, në qoftë se u ndodh ndonjë ndëshkim siç u ndodh njerëzve të tjerë, atëherë mua nuk më ka dërguar Zoti.
30 Por, nëse Zoti bën me ta një emnesë: nëse toka e hap gojën e vet e i përpin ata dhe gjithçka kanë dhe nëse për së gjalli zbresin në Sheol, atëherë dijeni se këta njerëz e kanë përbuzur Zotin”.
31 Posa pushoi së foluri, u hap toka nën këmbët e tyre,
32 e hapi gojën e vet dhe i përpiu me gjithçka kishin: me shtëpi, me njerëzit e Koreut e me mbarë pasurinë e tyre:
33 të gjallë zbritën në Sheol, i mbuloi dheu dhe u zhdukën nga bashkësia.
34 Atëherë mbarë populli i izraelitëve që qëndronte përreth ikën në britmën e atyre që u borën e thoshin: “Të mos na përpijë edhe ne toka”!
35 Po edhe prej Zotit doli zjarri dhe i përpiu dyqind e pesëdhjetë burrat që po flijonin kemin.