< Nr 16 Nr 18 >
Lexim prej librit të Numrave(Nr 17)
17

1 Zoti foli me Moisiun e tha: 

2 “Urdhëroj Eleazarit, birit të Aronit prift, që t’i nxjerrë kemoret prej zjarrit e ta derdhë andej e këndej zjarrin prej tyre, sepse janë të shuguruara

3 me vdekjen e mëkatarëve. Le të bëjë prej tyre pllaka dhe le ta veshë lterin, sepse janë të shuguruara pasi qenë sjellë në praninë e Zotit. Le të jenë shenjë përkujtuese për bijtë e Izraelit”.

4 Eleazari prift i mori kemoret bronzi në të cilat kushtuan ata që i përpiu zjarri, punoi prej tyre rrasëza dhe ia veshi lterit,

5 që bijtë e Izraelit ta kenë për më vonë për qortim: që të mos afrohet ndonjë laik, që nuk është prej barkut të Aronit, për t’i kushtuar Zotit kemin, nëse nuk do ta gjejë çka e gjeti Koreun e mbarë shoqërinë e tij, si i tha Zoti Moisiut.

6 Të nesërmen mbarë bashkësia e izraelitëve nynykati kundër Moisiut e Aronit: “Ju e mbytët popullin e Zotit”!

7 Tani, ndërsa bashkësia po mblidhej kundër Moisiut e Aronit dhe po drejtoheshin drejt Tendës së takimit, atë e mbuloi Reja dhe u dëftua Lavdia e Zotit.

8 Moisiu e Aroni shkuan te Tenda e takimit.

9 Zoti i tha Moisiut:

10 “Shmanguni prej mesit të kësaj bashkësie, sepse do ta shqym që të mbetet si shembull”! Ata ranë me fytyrë përdhe.

11 Moisiu i tha Aronit: “Kape kemoren, mbushe me zjarr prej lterit, qiti kem dhe vrapo te populli e kryeje mbi të ritin e zgjidhjes, sepse tashmë ka plasur hidhërimi i Hyjit dhe shuplaka filloi”.

12 Aroni bëri ashtu dhe vrap u lëshua në mes të bashkësisë, që tashmë po e shkretonte vdekja. E flijoi timiamën dhe e kreu ritin e zgjidhjes mbi popull.

13 Qëndroi në këmbë ndërmjet të gjallëve e të vdekurve dhe vdekja pushoi.

14 Të goditurit prej shuplakës së Zotit qenë katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind vetë pos atyre që sharruan në kryengritjen e Koreut.

15 Aroni u kthye te Moisiu në hyrje të Tendës së takimit e atëherë zuri vend vdekja.

16 Zoti foli me Moisiun e tha:

17 “Fol me bijtë e Izraelit dhe merre për çdo fis nga një shkop, prej çdo kryeprijësi të fisit nga një shkop: dymbëdhjetë shkopinj dhe në shkopin e secilit shkruaje emrin e pronarit.

18 Emrin e Aronit shkruaje në shkopin e Levit, pasi për çdo fis do të jetë nga një shkop.

19 Shkopinjtë shtjeri në Tendën e takimit pranë Dëshmisë, atje ku ju takoj.

20 Atij që prej këtyre ta zgjedh, shkopi i tij do të bulëzojë. Kështu do t’i largoj prej meje ankimet e bijve të Izraelit që i bëjnë kundër jush”.

21 Moisiu u tregoi izraelitëve dhe të gjithë kryeprijësit e çdo fisi i dhanë shkopinjtë. Ishin dymbëdhjetë shkopinj e ndër ta edhe shkopi i Aronit.

22 Pasi Moisiu i vendosi në praninë e Zotit në Tendën e Dëshmisë,

23 kur u kthye të nesërmen, pa se shkopi i Aronit, prej fisit të Levit, kishte bulëzuar: kishte bulëzuar, kishte qitur lulet, përhapur gjethet e pjekur bajamet!

24 Atëherë Moisiu i nxori prej pranisë së Zotit të gjithë shkopinjtë para izraelitëve: i panë dhe secili e mori shkopin e vet.

25 Zoti i tha Moisiut: “Ktheje shkopin e Aronit pranë Dëshmisë. Aty le të ruhet si shenjë për bijtë e Izraelit kryengritës, që të marrin fund ankimet e tyre kundër meje e të mos vdesin”.

26 Moisiu bëri siç i kishte urdhëruar Zoti.

27 Bijtë e Izraelit i thanë Moisiut:

“Ja, na humbi fara! Mbaruam! Të gjithë sharruam!

28 Kushdo t’i afrohet Banesës së Zotit, vdes! A thua do të zhdukemi derisa të na shuhet fara”?



Fjala e Zotit