1 Prej këndej izraelitët u çuan dhe zemërimiuan në vërritë e Moabit, në anën përtej Jordanit, përballë Jerihonit.
2 Kur Balaku, i biri i Seforit, pa çka i bëri Izraeli Amorreut,
3 Moabin e kapi frikë e madhe prej atij populli, sepse ishte i shumtë. E pasi Moabin e kapi frika e Izraelit,
4 u tha krerëve të Madianit: “Tani kjo shumicë do ta kullotë vendin përreth sikurse kau që e kullot barin e arave”.
Aso kohe Balaku, biri i Seforit, ishte mbreti i moabitëve.
5 Dërgoi, pra, lajmëtarë te Balaami, biri i Beorit, në Petor, që gjendet në Lumë, në tokën e bijve të Amaut, për ta grishur atë e për t’i thënë: “Ja, ka dalë një popull prej Egjiptit. E ka mbuluar sipërfaqen e tokës e ka zënë vend përballë meje.
6 Eja, pra, dhe jepi mallkimin këtij populli, sepse është më i fortë se unë. Kështu do t’ia dal ta godas disi e ta dëboj prej tokës sime. Sepse e di se do të jetë i bekuar ai që ti e bekon dhe do të jetë i mallkuar ai mbi të cilin ti lëshon mallkimin”.
7 Pleqtë e Moabit e pleqtë e Madianit u nisën me dhurata në dorë për dijetarin. Kur arritën te Balaami dhe pasi i treguan gjithë ç’kishte thënë Balaku,
8 Balaami u përgjigj: “Qëndroni këtu sonte e do t’ju përgjigjem gjithë si të më thotë Zoti. Ndërsa ata po qëndronin te Balaami,
9 erdhi Hyji dhe e pyeti Balaamin: “Çfarë kërkojnë këta njerëz te ti”?
10 U përgjigj: “Balaku, i biri i Seforit, i dërgoi tek unë
11 me këto fjalë: ‘Ja, një popull që doli nga Egjipti e mbuloi sipërfaqen e tokës; eja e jepi mallkimin; ndoshta atëherë do të mund ta luftoj e ta dëboj’”.
12 E Zoti i tha Balaamit: “Mos shko me ta, dhe ruaj se i lëshon mallkimin atij populli, sepse është i bekuar”.
13 Ky kur u ngrit në mëngjes, u tha prijësve: “Shkoni në vendin tuaj, sepse Zoti ma ndaloi të vij me ju”.
14 Prijësit u kthyen e i thanë Balakut: “Balaami nuk deshi të vij me ne”.
15 Balaku dërgoi përsëri prijës më shumë e më bujarë se ç’i kishte dërguar më parë.
16 Edhe këta kur arritën te Balaami, i thanë: “Kështu të çon fjalë Balaku i Seforit: ‘Mos ngurro të vish tek unë.
17 Jam i gatshëm të të shpërblej, do të të jap gjithçka të më kërkosh. Eja e jepi mallkimin këtij populli’”.
18 Balaami u përgjigj: “Po të ma jepte Balaku shtëpinë plot me argjend e me ar, nuk do të mund ta shkelja urdhrin e Zotit, Hyjit tim, që të flas ose më shumë ose më pak.
19 Ju lutem, kalojeni këtu edhe këtë natë e do të di ç’do të më përgjigjet përsëri Zoti”.
20 Zoti erdhi natën te Balaami dhe i tha: “Nëse këta njerëz erdhën të të thërrasin, çohu e shko me ta, por vetëm kështu që të bësh vetëm ç’do të urdhëroj unë”.
21 Balaami u çua në mëngjes, e shaloi gomaricën e vet e shkoi me ta.
22 Hyji u hidhërua pse Balaami u nis për rrugë. Engjëlli i Zotit qëndroi në rrugë përballë Balaamit për ta penguar. Balaami kishte hipur në gomaricë dhe e përcillnin dy shërbëtorë.
23 Kur gomarica e pa engjëllin që qëndronte në mes të rrugës me shpatë në dorë të nxjerrë nga milli, e la rrugën dhe po ecte nëpër arë. Kur Balaami po e rihte dhe po donte ta kthejë në rrugë,
24 engjëlli i Zotit zuri vend në rrugicën e ngushtë ndërmjet dy ledheve që rrethonin vreshtat.
25 Kur e pa gomarica, iu qas ledhit dhe ia shtypi këmbën barrtorit. Por ai zuri ta rrahë përsëri.
26 Atëherë engjëlli i Zotit kaloi përsëri në një vend të ngushtë, ku nuk mund të shmangej as djathtas as majtas, dhe i qëndroi përballë.
27 Kur gomarica e pa si po qëndronte engjëlli, u ul ratë nën këmbët e Balaamit. Ky, i hidhëruar, nisi t’i bjerë shkop edhe më tepër.
28 Atëherë Zoti ia hapi gojën gomaricës e ajo foli: “Çka të kam bërë? Përse po sjell tash tri herë”?
29 Balaami iu përgjigj: “Pse luan me mua. Mjerisht s’më ndodhi shpata se do të të vrisja”!
30 Gomarica i tha: “Po a s’jam unë shtaza jote që të kam mbartur gjithherë deri më sot në shpinë? Më thuaj a të kam bërë ndonjë herë tjetër një gjë të tillë”? Ai i tha: “Kurrë”!
31 Zoti ia çeli vringthi sytë Balaamit dhe e pa engjëllin e Zotit ku po qëndronte në rrugë me shpatë të nxjerrë në dorë. E uli kokën e ra përmbys për dhe.
32 Engjëlli i tha: “Pse po e rreh që tri herë gomaricën tënde? Unë erdha të ta pengoj kalimin, sepse udhëtimi yt është i pavend dhe nuk më pëlqen.
33 Gomarica pasi më pa, tri herësh u shmang; po të mos ishte shmangur, ty të kisha vrarë e atë e kisha lënë gjallë”.
34 Atëherë Balaami tha: “Kam mëkatuar! Nuk e dija se ti je në rrugë përballë meje! Por tani, nëse ky udhëtim nuk të pëlqen, unë po kthehem”.
35 Engjëlli i Zotit i tha: “Shko me këta njerëz, por vërja mirë mendjen: mos fol tjetër përveç sa do të urdhëroj unë”!
36 Balaku kur mori vesh se Balaami po vinte, i doli para në Irmoab, që është në kufi të Arnonit, në skajin e trevës.
37 I tha Balaamit: “A nuk të dërgova lajmëtarë për të të thirrur? Pse nuk erdhe menjëherë tek unë? A thua nuk jam i zoti të të shpërblej”?
38 Ai iu përgjigj: “Ja, erdha! Por a kujton ti se mund të flas tjetër, përveç sa të vërë Zoti në gojën time”?
39 Atëherë u nisën bashkë e arritën në Kariatusot.
40 Balaku flijoi bagëti të trasha e të imëta e prej tyre i dërgoi pjesë Balaamit dhe krerëve që e përcillnin.
41 Kur zbardhi drita Balaku e mori Balaamin dhe e çoi në malet Baal dhe prej andej e pa pjesën e skajme të popullit.