< Nr 23 Nr 25 >
Lexim prej librit të Numrave(Nr 24)
24

1 Kur e pa Balaami se po i pëlqente Zotit ta bekojë Izraelin, aspak nuk u largua, siç u shmang më parë për të kërkuar parakallëzime, por e solli fytyrën drejt shkretëtirës

2 e, si i çoi sytë lart, pa Izraelin të zemërimiuar fis përbri fisi dhe, i rrëmbyer prej Shpirtit të Hyjit,

3 t’ia dha këngës së vet e tha:

“Parakallëzim i Balaamit, birit të Beorit,

parakallëzim i njeriut symprehtë,

4 parakallëzim i atij që ndjeu fjalën e Hyjit,

që sheh çka i dëfton i Gjithpushtetshmi,

që bie në ekstazë e atëherë i çelen sytë:

5 sa të bukura qenkan tendat e tua, o Jakob,

një bukuri zemërimia jote, o Izrael!

6 Si breglumi që shkon duke u shtrirë,

porsi kopshtet për anë të lumit,

si aloeja që e ka mbjellë Zoti,

porsi cedri për anë të ujit!

7 Do të rrjedhë ujë nga kovat e tija;

farës së tij uji s’i mungon.

Mbi Agagun ngallit mbreti i tij,

plot madhëri mbretëria e tij!

8 Hyji e nxorri nga dheu i Egjiptit:

është për të forcë e pamposhtme!

Përpin kombet, armiqtë e vet,

copë me grimë eshtrat ua bën,

anë përtej në shigjeta i shpon.

9 Struket në të kotur si luani,

luaneshë thua në shtrofull është!

Ku është ai që guxon ta zgjojë?

Qoftë bekuar kush të bekoftë ty,

qoftë mallkuar kush të mallkoftë ty”!

10 Plasi atëherë hidhërimi i Balakut kundër Balaamit e, duke rrahur shuplakën më shuplakë, tha: “Të thirra që të m’i mallkosh armiqtë e mi, kurse ti tani tri herë m’i bekon!

11 Këput qafën në vendin tënd! Pata menduar të të shpërblej begatisht, porse Zoti të la pa shpërblim!”

12 Balaami iu përgjigj Balakut: “Pse, a nuk u thashë lajmëtarëve të tu që m’i dërgove:

13 Po të ma jepte Balaku edhe shtëpine e vet plot me argjend e me ar, nuk do të mund t’i bëj bisht urdhrit të Zotit, kështu që prej mendjes sime të them ndonjë të mirë apo të keqe, por duhet të them gjithçka të më urdhërojë Zoti?

14 E tani, duke u nisur te populli im, afrohu të të parakallëzoj çfarë do t’i bëjë popullit tënd në të ardhmen ky popull”.

15 Pra, t’ia nisi këngës së vet e tha përsëri:

“Tha Balaami i Beorit,

tha njeriu symprehtë,

16 tha ai që ndjeu fjalën e Hyjit,

që sheh çka i dëfton i Gjithpushtetshmi,

që bie në ekstazë e sytë i ka çelur!

17 Po e shoh, por jo për tani,

po e vërej, por jo për së afërmi:

një Yll po lind prej Jakobit,

një skeptër po ngallit prej Izraelit,

i pëlcet tëmthat e bijve të Moabit,

butin e kresë të bijve të Setit!

18 Pronë po i bëhet Idumeja,

trashëgim Seiri, armiku i tij,

‑ Izraeli fre po i lëshon forcës së vet!

19 Zotëruesi prej Jakobit do të dalë

që t’i shpartallojë mbeturinat e qytetit”!

20 Kur sytë i vajtën në Amalekun, e rimori këngën e vet e tha:

“I pari ndër popuj Amaleku,

por do t’i tresë fara porsi kalit të verdhë”!

21 Sytë i shkuan edhe në Cineun. Ai këngës ia mori edhe tha:

“Të fortë, po, e ke banesën tënde,

folenë tënde në qetë të venduar,

22 por Kaini është pre e zjarrit

në fund Asuri do të zotërojë”.

23 Përsëri ia mori këngës e tha:

“Eheu! Kush do të jetojë

kur këto Hyji do t’i bëjë?

24 Prej Ketimit i vëgoj do anije...

Pushtojnë Asyrin, shkretojnë Heberin;

por në fund edhe ata do të zhduken”.

25 Pastaj Balaami u ngrit e ktheu në vend të vet.

Po edhe Balaku, udhës që erdhi, u kthye.



Fjala e Zotit