1 Atëherë u afruan bijat e Salfaadit, birit të Heferit, birit të Mahirit, birit të Manaseut, prej vëllazërive të Manaseut, që qe biri i Jozefit. Këto thirreshin: Maala, Noa, Hegla, Melka e Tersa.
2 Qëndruan para Moisiut e Eleazarit prift dhe para prijësve e para mbarë bashkësisë në hyrje të Tendës së takimit dhe thanë:
3 “Ynë atë vdiq në shkretëtirë. Ai nuk mori pjesë në kryengritje që e nxiti kundër Zotit Koreu; ai vdiq kryekëput për shkak të mëkatit të vet. Ky nuk pati djem.
4 Pse të shuhet emri i tij prej fisit, vetëm pse nuk pati djem? Na jep edhe ne trashëgim ndër vëllezër të babait tonë”.
5 Moisiu e qiti çështjen e tyre në gjyqin e Zotit.
6 Zoti i tha:
7 “Bijat e Salfaadit kanë të drejtë. Jepu trashëgim ndër vëllezërit e atit të tyre dhe ato le ta trashëgojnë të atin.
8 Kurse bijve të Izraelit thuaju kështu: Kur ndokush të vdesë e të mos lërë djalë, prona e tij le të kalojë në të bijën;
9 po në mos pastë as vajzë, trashëgimtarë le t’i jenë të vëllëzerit.
10 Po qe se as vëllezër nuk ka, jepjani trashëgimin e tij vëllezërve të t’et.
11 Po qe se nuk ka as djem ungjish, trashëgimi le t’i jepet atij që është më i afërt prej vëllazërisë së tij: ai le ta trashëgojë. Kjo le të jetë për bijtë e Izraelit një rregull ligjor e përhershme e shenjtë në përkim me urdhrin që Zoti i dha Moisiut”.
12 Pastaj Zoti i tha Moisiut:
“Ngjitu mbi këtë mal të Abarimit, dhe shikoje prej andej vendin që do t’ua jap izraelitëve.
13 Pasi ta kesh kundruar, edhe ti do të shkosh te të parët e tu ashtu siç shkoi edhe yt vëlla Aroni,
14 sepse më ke fyer në shkretëtirën e Sinit, kur më kundërshtoi bashkësia e ju nuk deshët ta dëftoni para syve të bashkësisë shenjtërinë time lidhur me ujë”. Është fjala për ujin e Meribës në Kades të shkretëtirës së Sinit.
15 Moisiu iu përgjigj:
16 “Zoti, Hyji që i jep frymën secilës krijesë, le ta gjejë njeriun që të jetë në krye të kësaj bashkësie,
17 të mund t’i prijë në të dalë e në të hyrë, ta lëshojë e ta kthejë, që populli i Zotit të mos jetë si delet pa bari”.
18 E Zoti i tha: “Merre Jozuehin, birin e Nunit ‑ është burrë me shpirt; vëre mbi të dorën tënde.
19 Sille para Eleazarit prift dhe para mbarë bashkësisë dhe në sy të tyre dorëzoja pushtetin,
20 dhe bëje pjesëtar të madhërisë sate që t’i vihet nën urdhër mbarë bashkësia e bijve të Izraelit.
21 Le të qëndrojë para Eleazarit prift, i cili le të pyetë për të para Zotit mendimin e Urimit. Sipas fjalës së tij le të dalë e le të kthehet ai e të gjithë izraelitët me të ‑ mbarë bashkësia”.
22 Moisiu bëri siç urdhëroi Zoti. E mori Jozuehin e vuri para Eleazarit prift dhe para mbarë bashkësisë
23 dhe, pasi ia vuri mbi kokë të tij duart, i dha pushtetin siç kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.