< Nr 7 Nr 9 >
Lexim prej librit të Numrave(Nr 8)
8

1 Zoti foli me Moisiun e tha:

2 “Fol me Aronin e thuaj: Kur t’i ndezësh dritëzat, shtatë dritëzat duhet të bëjnë dritë në anë para shandanit”.

3 Aroni bëri kështu dhe i vuri dritëzat mbi shandan ashtu siç i urdhëroi Zoti Moisiut.

4 Shandani ishte i punuar kështu: prej arit të farkuar si kërcelli i mesëm ashtu edhe boçat e tij. Shandani qe punuar sipas gjedhes që Zoti ia dëftoi Moisiut.

5 Prapë Zoti foli me Moisiun e tha:

6 “Veçoji levitët prej mesit të bijve të Izraelit dhe pastroji

7 sipas këtij riti. Le të stërpiken me ujin e pastrimit e le t’i rruajnë të gjitha qimet e trupit të vet, le t’i lajnë petkat e veta e do të jenë të pastër.

8 Le ta marrin një mëzat dhe flinë kushtimore bimore endsën e ngjeshur me vaj. Merre ti një mëzat tjetër për flinë për mëkat.

9 Afroji levitët pranë Tendës së takimit dhe bashkoje mbarë bashkësinë e bijve të Izraelit.

10 Kur levitët të jenë vënë në praninë e Zotit, bijtë e Izraelit le t’i vënë duart mbi ta,

11 dhe Aroni le t’i kushtojë levitët me ritin e tundjes para Zotit si dhuratë prej bijve të Izraelit, që të shërbejnë në shërbesën e tij.

12 Po edhe levitët le t’i vënë duart e veta përmbi kokat e qeve, prej të cilëve njërin kushtoje fli për mëkat e tjetrin fli shkrumbimi në nder të Zotit, për të kryer mbi ta ritin e zgjidhjes.

13 Atëherë vëri levitët para Aronit dhe bijve të tij dhe kushtoja Zotit me ritin e tundjes,

14 dhe veçoji prej mesit të bijve të Izraelit që të jenë të mitë.

15 Vetëm atëherë le të hyjnë për të shërbyer në Tendën e takimit.

Kështu pastroji dhe kushtoji me ritin e tundjes,

16 sepse më janë dhuruar si dhuratë prej mesit të bijve të Izraelit; i mora ata në vend të të gjithë të parëlindurve që lindin të parët në Izrael.

17 Sepse mua më përkasin të gjithë të parëlindurit e izraelitëve qofshin njerëz qofshin bagëti. Që prej ditës kur i vrava të gjithë të parëlindurit në dheun e Egjiptit, i shenjtërova ata për mua.

18 Këndej i mora levitët në vend të të parëlindurve të bijve të Izraelit

19 dhe ia dhashë Aronit dhe bijve të tij prej mesit të bijve të Izraelit që të më shërbejnë mua në vend të izraelitëve në Tendën e takimit, që mbi ta të kryejnë ritin e zgjidhjes që të mos i gjejë ndonjë e keqe izraelitët pse i janë afruar Shenjtërores”.

20 Moisiu, Aroni dhe mbarë bashkësia e izraelitëve bënë mbi levitët gjithçka i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

21 U pastruan dhe i lanë petkat e veta, edhe Aroni e kreu mbi ta ritin e tundjes para Zotit dhe e kreu mbi ta ritin e zgjidhjes që, të pastruar,

22 të hyjnë në shërbim në Tendën e takimit në praninë e Aronit e bijve të tij. Gjithçka u bë mbi levitët ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

23 Zoti foli me Moisiun e tha:

24 “Ja një rregullore lidhur me levitët: njëzet e pesë vjeç e përpjetë le ta marrin detyrën për të shërbyer në Tendën e takimit

25 e kur t’i kenë plotësuar pesëdhjetë vjeç le të pushojnë nga shërbimi.



Fjala e Zotit