< Oz 6 Oz 8 >
Lexim prej librit të Ozese(Oz 7)
7

1 Ndërsa doja të shëroj Izraelin,

doli në shesh fajësia e Efraimit

edhe e keqja e Samarisë;

gënjeshtra është vënë në veprim:

brenda në shtëpi depërtojnë vjedhësit,

përjashtë cubat bëjnë emnesë!

2 E ndër mend s’u shkon aspak

se asnjë të keqe s’e harroj.

Tani janë të rrethuar prej veprave të veta:

ato qëndrojnë përpara meje.

3 Me të këqijat e tyre e gazmojnë mbretin,

e princat me rrena të veta.

4 Të gjithë janë kurorëshkelës,

janë në ngjasim të furrës së skuqur,

kur bukëpjekësi pushon të përpushë zjarrin,

pasi kllisë brumin ia hedh

e pret derisa të brumoset mirë.

5 Ditën e mbretit tonë

u sëmurën princat nga vapa e verës

e ai të dehurve dorën ua shtrin.

6 Në synim pritash zemrën e bënë furrë,

furia u kotet gjithë natën,

në mëngjes ndizet porsi flaka e zjarrit.

7 Të gjithë janë ndezur flakë si furra

e i përpijnë gjyqtarët e vet.

Kështu të gjithë mbretërit e tyre sharruan

e kush prej tyre s’mbeti të më thërrasë në ndihmë!

Izraeli sharroi duke thirrur në ndihmë të huajt

8 Efraimi po përzihet me kombe,

Efraimi u bë bukë ndore e pasjellë.

9 Të huajt ia hëngrën fuqinë e tij

e s’e di,

kokën gjok thinjat ia bënë

e s’kujtohet!

10 Krenaria e Izraelit

kundër tij i bën dëshmi,

e s’u kthyen te Zoti, Hyji i vet,

me të gjitha këto as që e kërkojnë!

11 Efraimi u bë si pëllumbi

i pamend e i humbur:

Egjiptin thërrasin, ikin në Asiri.

12 Por, posa ata të jenë nisur,

rrjetën time mbi ta do ta shtrij,

do t’i rrëzoj porsi shpendët e ajrit,

një emnesë do të bëj mbi ta

si u qe thënë, në mbledhjen e tyre.

Mosmirënjohja e ndëshkimi i Izraelit

13 Vaj për ta që u larguan prej meje!

Do të sharrojnë pse u çuan kundër meje!

Vallë, thua vetë ata t’i shpërblej, duhet

kundër meje ndërsa gënjeshtra hapin?

14 Në ndihmë nuk më thërrasin me gjithë zemër,

por ulërijnë në shtrojat e veta;

përgjaken në f’tyrë për drith e verë

e peshë çohen kundër meje.

15 E unë krahun ua kisha forcuar

e ata të zeza djerrojnë kundër meje!

16 I kërkojnë ndihmë atij që s’mund të ndihmojë,

janë bërë porsi harku i prishur.

Krerët e tyre prej shpatës do të bien,

për shkak të gjuhës së vet të pacipë:

do të përqeshen në dheun e Egjiptit.



Fjala e Zotit