< Ps 138 Ps 140 >
Psalmet(Ps 139)
139

1

Mjeshtrit të korit. I Davidit. Psalm.
O Zot, ti më shqyrton e më njeh,

2 ti di kur rri e kur ngrihem,
prej së largu i njeh mendimet e mia.

3 Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,
ti i di të gjitha udhët e mia.

4 Pa më ardhur ende fjala në majë të gjuhës,
dhe, ja, ti, o Zot, i njeh të gjitha!

5 Përpara e pas ti, o Zot, më rrethon,
ti e ke vënë mbi mua dorën tënde.

6 E mrekullueshme është dija jote për mua,
tepër e lartë, s’jam në gjendje t’ia arrij.

7 Ku mund të shkoj larg prej shpirtit tënd,
ku të iki larg prej pranisë sate?

8 Nëse ngjitem në qiell, ti atje je,
nëse zbres në Nëntokë, edhe aty je.

9 Po t’i marr krahët e agimit
e të shkoj të banoj në skajin e detit,

10 edhe atje dora jote do të më përcjellë
e do të më mbajë e djathta jote.

11 Në thënça: “Le të më mbulojë së paku errësira
edhe drita natë le të bëhet mbi mua!”,

12 por as terri s’është aspak terr për ty

edhe nata është si dritë e ndritshme
për ty errësira është porsi drita!

13 Ti je ai që m’i krijove veshkat,
ti më ke endur në kraharorin e nënës!

14 Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht,
të mrekullueshme janë veprat e tua,
po, shpirti im mirë e di!

15 Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur
kur unë po trajtohesha në fshehtësi
i endur në thellësinë e tokës.

16 Ende të patrajtuar më panë sytë e tu,
në librin tënd ishin të shkruara të gjitha ditët:
ishin të numëruara megjithëse asnjë s’ishte ende prej tyre.

17 Tepër të çmueshme janë për mua, o Hyj, mendimet e tua,
e panumërueshme është shuma e tyre!

18 Po t’i numëroja, janë më shumë se rëra!
Po t’iu dilja në skaj, më mbeteshe prapë ti!

19 Oh! Sikur Hyji t’i zhdukte mëkatarët!
Largohuni prej meje, o njerëz gjakatarë!

20 Ata flasin kundër teje me dredhi:
më kot e lartësojnë veten kundër teje.

21 A të mos i urrej, o Zot, ata që të urrejnë ty?
A të mos t’i përbuz ata që ngrihen kundër teje?

22 Unë i urrej me urrejtje të madhe
dhe i mbaj për armiq të mi.

23 Më shqyrto, o Hyj, dhe njihe zemrën time,
më sprovo e njihi shtigjet e mia

24 e shiko në mos ka në mua udhë kotësie
dhe më kthe në udhën e amshueshme.



Fjala e Zotit