< Ps 15 Ps 17 >
Psalmet(Ps 16)
16

1

Miktam. I Davidit.
Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!

2 I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje”!

3 Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë,
po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!

4 I shumojnë të zezat e veta
ata që shkojnë pas zotave të huaj.
Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash,
buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.

5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,
në dorën tënde është fati im!

6 Shorti më ra në më të mirën tokë:
pjesa e trashëgimit tim më pëlqen shumë!

7 E bekoj Zotin që më dha kuptim,
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.

8 Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!

9 Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.

10 S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.

11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.



Fjala e Zotit