1
Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit.
2 Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit,
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij!
3 Dita ditës ia përsërit këtë gjë
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
4 E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri,
po as zë që do të mund të dëgjohet,
5 megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona,
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
6 Diellit në to ia ngrehu tendën:
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore,
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
7 Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka,
udha e tij kapet në skajin tjetër,
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
8 I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.
9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.
10 E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njësoj të drejta.
11 Më të çmueshme se ari,
se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti,
se hoja që rrjedh mjaltë.
12 Shërbëtori yt me kujdes i mëson:
t’i mbash ato është fitore e madhe.
13 Porse kush i heton gabimet?
Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta,
14 ruaje shërbëtorin tënd, o Zot, prej krenarisë
që të mos më zotërojë ajo,
atëherë do të jem i patëmetë,
i pastër krejtësisht prej mëkatit të madh.
15 Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime,
edhe mendimi i zemrës sime para teje,
o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im!