1
Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit.
2 O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate,
plot hare e mbush shpëtimi yt.
3 Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij,
nuk i përbuze lutjet e buzëve të tija.
4 Që më parë i dhe bekime të mëdha:
mbi kokë i vure kurorë ari të kulluar.
5 T’u lut për jetë e ti i dhe
ditë të shumta – në jetë të jetës.
6 E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd:
e stolise me madhëri e me shkëlqim.
7 Ti e bëre bekim përgjithmonë,
e kënaqe me gëzim në praninë tënde.
8 Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin,
në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.
9 Dora jote do t’i mbërrijë të gjithë armiqtë e tu,
e djathta jote do t’i gjejë ata që të urrejnë.
10 Ditën që të dëftohesh furrë zjarri do t’i bësh,
Zoti do t’i përpijë në zemërimin e vet,
zjarri do t’i përlajë.
11 Farën e tyre do ta zhdukësh nga dheu,
farën e tyre do ta zhdukësh prej mesit të njerëzve.
12 Kanë menduar të ta bëjnë të keqen,
bënë trillime: por s’do t’ia dalin.
13 Ti ke për t’i vënë në të ikur,
harkun tënd do ta drejtosh në ta.
14 Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde,
e ne do të këndojmë e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd.