< Ps 25 Ps 27 >
Psalmet(Ps 26)
26

1

I Davidit
Ma jep të drejtën, o Zot, sepse jetoj në pafajësi,
i mbështetur në ty nuk kam se si të ligështohem.

2 Më shqyrto, o Zot, e më vër në provë,
m’i pastro me zjarr veshka e zemër!

3 Para sysh e kam dashurinë tënde,
jetoj e veproj sipas drejtësisë sate.

4 Nuk rri me njerëz të këqij
as s’bëj shoqëri me njerëz shtiracakë.

5 I urrej mbledhjet e të paudhëve,
e me njerëz të pabesë nuk do të rri.

6 Në pafajsi i laj duart e mia
e rreth i sillem lterit tënd, o Zot,

7 për ta shpallur botërisht lavdinë tënde,
për t’i kumtuar të gjitha mrekullitë e tua.

8 O Zot, e dua shtëpinë ku ti banon
dhe vendin ku qëndron Lavdia jote.

9 Mos e shoqëro shpirtin tim me atë të mëkatarëve
as jetën time me atë të gjakësorëve.

10 Në duart e tyre është paudhësia,
e djathta e tyre është plot dhurata.

11 E unë jetoj në pafajësinë time,
më shpërble, o Zot, e ki dhembje për mua.

12 Tashmë këmba ime shkel në udhë të drejtë:
në bashkime do ta bekoj Zotin.



Fjala e Zotit