< Ps 26 Ps 28 >
Psalmet(Ps 27)
27

1

I Davidit.
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime,
para kujt do të dridhem?

2 Kur më sulen keqbërësit
për të më ngrënë gjallë,
kundërshtarëve të mi e armiqve të mi,
ora u liget dhe rrëzohen.

3 Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë
kundër meje: zemra nuk më trembet,
le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje;
edhe atëherë jam plot shpresë.

4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit
e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

5 Zoti më fsheh në tendën e vet
në ditë të vështirë,
më strehon në vend të fshehtë të tendës së vet,
më ngre lart mbi qetë.

6 E tani e lartësoj kokën
mbi armiqtë e mi që më rrethojnë,
në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi,
do t’i këndoj Zotit këngë hareje.

7 Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime,
ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!

8 Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time”!
“Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj”.

9 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,
mos e dëbo me zemërim shërbëtorin tënd!
Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz,
mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim!

10 Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje,
por Zoti më mori ndore.

11 Ma trego, o Zot, udhën tënde
dhe më drejto shtegut të drejtë
për shkak të armiqve të mi!

12 Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi,
sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rremë,
të cilët shfryjnë dhunë.

13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.

14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!



Fjala e Zotit