< Ps 6 Ps 8 >
Psalmet(Ps 7)
7

1

Ankim. I Davidit. E këndoi për nder të Zotit për shkak të fjalëve të Kus Beniaminasit.

2 Ndore tënde, o Zot, Hyji im!
Më shpëto prej të gjithë salvuesve të mi e më liro

3 që të mos ma rrëmbejnë shpirtin porsi luani
që shqyen kur s’ka kush të shpëtojë!

4 Por, o Zot, Hyji im, nëse veprova kështu:
nëse gjendet padrejtësi në duart e mia,

5 nëse ia ktheva me të keqe bamirësit tim,
nëse e kurseva salvuesin e padrejtë,

6 më ndjektë armiku e më pushtoftë:
jetën time përdhe e shqelmoftë,
nderin tim pluhur e bëftë!

7 Ngrihu, o Zot, në zemërimin tënd,
ngrihu kundër tërbimit të armiqve të mi,
ngrihu, Hyji im, në gjyqin që caktove!

8 Le të të rrethojë kuvendi i popujve,
por ti prej së larti sillu kundër tij!

9 Zoti vendos mbi çështjet e popujve!
Më gjyko, o Zot, sipas drejtësisë sime,
dhe sipas pafajësisë sime.

10 Le të zhduket fajësia e mëkatarëve,
lart ngrite të drejtin, Hyji i drejtë,
që shqyrton zemrat e veshkat!

11 Mburoja ime është në Hyjin
që i shpëton zemërdrejtët.

12 Hyji është gjykatës i drejtë,
i fortë e që zemërohet çdo ditë.

13 Vallë, a s’do ta mprehë përsëri shpatën e vet,
s’do ta ngrehë harkun e s’do ta mbajë gati?

14 Gati i bëri armët vdekjeprurëse,
shigjetat e veta flakë i skuqi!

15 Ja, keqbërësi lindi padrejtësinë:
ngjizi shpirtligësinë e lindi tradhtinë.

16 Hapi gropën dhe e thelloi:
ai vetë bie në gropën që çel.

17 Shpirtligësia e tij do të bjerë mbi kokë të tij,
dhuna e tij do t’i bjerë në majë të kokës së tij!

18 E unë do ta lavdëroj Zotin, sepse është i drejtë,
lavde do t’i këndoj Emrit të të Lartit Zot.



Fjala e Zotit