< Ps 7 Ps 9 >
Psalmet(Ps 8)
8

1

Mjeshtrit të korit. Në mënyrë këndimi me “Shtrydhës…” Psalm. I Davidit.

2 O Zot, Zoti ynë,
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!

3 Prej gojës së ferishteve e të foshnjave
lavdinë e bëre gati kundër armiqve
që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.

4 Kur e sodis qiellin – veprën e gishtave të tu,
hënën e yjet që ti i vendose,

5 çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

6 E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

7 i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.
Gjithçka vure nën këmbët e tija:

8 delet e kafshët të gjitha,
për më tepër edhe egërsirat e fushës,

9 shpëndët e ajrit dhe peshqit e detit,
të gjitha që përshkojnë udhët e detit!

10 O Zot, Zoti ynë,
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!



Fjala e Zotit