1
Mjeshtrit të korit. Sipas këndimit: “Vdis për djalë…” Psalm. I Davidit.
2 Të lavdëroj, o Zot, me gjithë zemrën time,
i shpall të gjitha mrekullitë e tua.
3 Gëzohem dhe galdoj në ty,
i këndoj Emrit tënd, o i Larti Zot!
4 Armiqtë e mi u kthyen prapazi,
ranë përdhe e sharruan ndër syte e tu,
5 sepse ti u kujdesove për të drejtën e çështjen time,
ti ndenje mbi fron, Gjykatës i drejtë!
6 Ti i qortove paganët, e shove të pabesin,
emrin e tyre e zhduke për jetë të jetës!
7 Armiqtë sharruan – rrënojë e përhershme,
gërmadha ua bëre qytetet, mbaroi kujtimi i tyre me ta.
8 Zoti sundon në jetë të jetës,
e vendosi fronin e vet të gjykojë;
9 Ai vetë me drejtësi gjykon mbarë botën,
ua jep popujve dënimin e drejtë.
10 Zoti është strehimi i të salvuarit,
vend i sigurt për ditë të vështira.
11 Le të shpresojnë në ty ata që e njohin Emrin tënd,
sepse ti s’i lëshon dore ata që të kërkojnë ty, o Zot.
12 Këndoni Zotit që banon në Sion,
kumtoni ndër popuj mrekullitë e tija!
13 Sepse si ndëshkues gjakësorësh në mend i bie për ta,
e britmën e skamnorit nuk e qet në harresë.
14 Ki mëshirë për mua, o Zot,
shihe mjerimin tim ku më hodhën armiqtë e mi,
më shpëto prej derës së vdekjes
15 për t’i shpallur të gjitha lavditë e tua
para dyerve të qytetit Sion
i gëzuar për shëlbimin tënd.
16 U plandosën paganët në atë gropë që vetë hapën,
këmba e tyre u zu në atë lak që vetë vunë,
17 Zoti e dëftoi veten e çoi në vend të drejtën,
mëkatari u ngatërrua në veprat e duarve të veta!
18 Le të kthehen mëkatarët në Nëntokë,
të gjithë paganët që e harrojnë Emrin e Hyjit!
19 Sepse skamnori nuk do të harrohet për amshim,
shpresa e varfanjakut nuk do të mbarojë askurrë.
20 Zgjohu, o Zot, të mos mbizotërojë njeriu,
para teje le të gjykohen paganët!
21 Mbushi me frikë e tmerr, o Zot,
le ta dinë paganët se janë vetëm njerëz.