< Rom 9 Rom 11 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve(Rom 10)
10

1 Vëllezër! Dëshira e zemrës sime dhe lutja që ia drejtoj Hyjit është: që të shëlbohen.

2 Për të vërtetë, unë dëshmoj për ta: kanë zell për Hyjin, por mjerisht, jo në kuptimin e vërtetë,

3 sepse, duke mos e pranuar drejtësinë që vjen prej Hyjit e duke kërkuar të vendosin të vetën, nuk iu bindën drejtësisë së Hyjit.

4 Sepse, ai që i dha fund Ligjit të Moisiut është Krishti ‑ për shenjtërimin e secilit që beson.

Shëlbimi për të gjithë njerëzit

5 Vërtet, Moisiu shkruan për drejtësinë që vjen nga Ligji: ‘Njeriu që e zbaton do të jetojë në saje të tij.’

6 Kurse drejtësia që vjen nga feja thotë kështu: ‘Mos thuaj në zemrën tënde: Kush do të ngrihet në qiell? ‑ d. m. th. për të bërë që të zbresë Krishti;

7 as: Kush do të zbresë në Nëntokë? ‑ d. m. th. për të bërë që Krishti të ngrihet prej të vdekurish.

8 E çka thotë, pra?

‘Afër e ke fjalën,

në gojën tënde dhe në zemrën tënde.’

d. m. th. fjalën e fesë që ne predikojmë.

9 Sepse, në qoftë se me gojë e dëshmon se Jezusi është Zot dhe në qoftë se në zemrën tënde e beson se Hyji e ka ngjallur prej të vdekurish, do të shëlbohesh.

10 Pra, për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër e për të fituar shëlbimin duhet ta dëshmosh fenë me gojë.

11 Sepse, Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Kush beson në Të nuk do të turpërohet.’

12 Kështu, pra, nuk ka dallim mes hebreut e grekut: të gjithë kanë vetëm një Zot, të pasur kundrejt atyre që e thërrasin në ndihmë.

13 Sepse: ‘Kushdo ta thërrasë Emrin e Zotit, do të shëlbohet.’

14 Por, si do ta thërrasin Atë, në të cilin nuk besuan? E si do të besojnë në Atë, për të cilin nuk dëgjuan? Si do të dëgjojnë, nëse ndokush nuk ua predikon?

15 E si do ta predikojnë pa qenë dërguar? Kështu është në Shkrimin e shenjtë:

‘Sa të bukura janë këmbët

e atyre që sjellin sihariq!’

16 Por të gjithë nuk iu bindën Ungjillit. Sepse Isaia thotë:

‘O Zot, e kush i besoi predikimit tonë?’

17 Kështu, pra, besimi vjen nga predikimi, e predikimi është shpallja e Fjalës së Zotit.

18 Atëherë pyes: A nuk dëgjuan?

Po si jo! ‘Zëri i tyre mori mbarë dheun, e fjalët e tyre arritën deri në skajet e botës.’

19 Prapë pyes: A thua Izraeli nuk e kuptoi?

I pari tha Moisiu:

‘Unë do t’ju bëj smirëzezë me anë të një populli që s’është farë Populli,

do t’u ngacmoj me anë të një populli të marrë.’

20 Pastaj Isaia guxon të thotë edhe më tepër:

‘Më gjetën ata që nuk më kërkuan,

u jam dëftuar atyre që nuk më pyetnin.’

21 E këto fjalë ia drejton Izraelit:

‘Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt Popullit që nuk dëgjon por kundërshton.’



Fjala e Zotit