1 Them të vërtetën në Krishtin ‑ nuk rrej ‑ dëshmitare kam ndërgjegjen time bashkë me Shpirtin Shenjt:
2 ndiej në zemër një trishtim të madh dhe dhimbje të vazhdueshme.
3 Po, do të dëshiroja unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi, në vend të bashkëkombasve të mi për kah gjaku.
4 Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet;
5 të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj. Amen.
6 Por kjo s’do të thotë se fjala e Hyjit shkoi hupës: sepse nuk janë izraelitë të vërtetë të gjithë ata që rrjedhin prej Izraelit.
7 Po as nuk janë të gjithë fëmijë të Abrahamit vetëm pse rrjedhin prej tij. Pse u tha: ‘Pasardhësit e tu të vërtetë do të jenë ata që rrjedhin prej Izakut.’
8 Që do të thotë: nuk janë bijtë e Hyjit ata që lindin me lindje natyrore, por ‑ vetëm bijtë e premtimit numërohen për trashëgimtarë.
9 Dhe njëmend, ja, fjala e premtimit: ‘Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë djalin.’
10 Madje jo vetëm kaq! Edhe Rebeka mbeti shtatzënë me një njeri të vetëm ‑ me Izakun, atin tonë,
11 e binjakët ende nuk kishin lindur ‑ pra, nuk kishin pasur kur të bëjnë as mirë as keq ‑ por, që i pashlyeshëm të mbetej vendimi i zgjedhjes së lirë i Hyjit, jo në bazë të veprave, por të vullnetit të Atij që thërret ‑
12 i qe thënë: ‘Djali i madh do t’i shërbejë të voglit’,
13 sikurse shkruan:
‘Jakobin e desha,
Ezaun e urreva.’
14 Çka të themi atëherë? A mos ka padrejtësi te Hyji?
Mos o Zot!
15 Sepse ai i thotë Moisiut: ‘Do të kem mëshirë për atë që dua të kem mëshirë, do të kem dhimbje për atë që dua të kem dhimbje.’
16 Kështu, pra, nuk është puna e atij që do ose e atij që sulet, por e Hyjit që bën mëshirë.
17 Sepse Shkrimi i shenjtë i thotë faraonit: ‘Pikërisht për këtë gjë të ngrita që ta dëftoj në ty fuqinë time dhe që të shpallet Emri im gjithkund mbi mbarë dheun.’
18 Kështu, pra, Hyji ka mëshirë për atë që do, e bën kokëfortë atë që do.
Zemërimi dhe mëshira e Hyjit
19 Por atëherë do të më thuash:
Pse [atëherë] ankohet? Kush është ai që mund t’i kundërshtojë vullnetit të tij?
20 O njeri, e kush je ti që do të hysh në rragatje me Hyjin? A thua ena ka të drejtë t’i thotë mjeshtrit: ‘Përse më bëre të tillë?’
21 Po a thua s’ka të drejtë vorbëtari mbi argjilën, që prej të njëjtës baltë të punojë një enë për përdorim bujar e një tjetër për përdorim jo bujar?
22 Po çka, nëse Hyji, duke dashur të dëftojë zemërimin dhe të shpallë pushtetin e vet i mbarti me duresë të patregueshme enët e zemërimit, të gatshme për t’i zhdukur,
23 me qëllim që ta bënte të njihej pasuria e lavdisë së tij kundrejt enëve të mëshirës, të cilat që më parë i bëri gati për lumturi,
24 kundrejt nesh, të cilëve na grishi jo vetëm nga hebrenjtë, por edhe nga paganët?
25 Kështu edhe në librin e Ozesë, thotë:
‘Një popull që s’ka qenë imi, do ta quaj,
Populli im:
kombësinë që s’ka qenë e dashura ime, do ta quaj:
E dashura.’
26 Po edhe në vendin ku u qe thënë: ‘Ju nuk jeni
populli im’, do të quhen bijtë e Hyjit të gjallë.’
27 Edhe Isaia shprehet lidhur me Izraelin: “Edhe pse bijtë e Izraelit do të jenë shumë si rëra e detit ‑ Teprica do të shëlbohet;
28 sepse Zoti do ta plotësojë krejtësisht e me gatishmëri fjalën e vet mbi tokë.’
29 Isaia ka parafolur edhe kështu:
“Po të mos na e kishte ruajtur Zoti i Gjithësisë farën,
do të ishim bërë si Sodoma,
Gomorrës do t’i kishim përngjarë.”
Izraeli dhe Ungjilli
30 Çka të themi atëherë?
Paganët që nuk e kërkuan drejtësinë, e fituan drejtësinë ‑ mendoj drejtësinë që vjen prej fesë ‑;
31 ndërsa Izraeli, që kërkon një farë Ligji që mund të japë drejtësinë, i kaloi përbri.
32 Përse?
Sepse drejtësinë nuk e priti prej fesë, por mendonte se do të rridhte nga veprat.
33 Zunë në thua në gurin e pengesës, siç është në Shkrimin e shenjtë:
‘Ja po vë në Sion gurin e pengesës
dhe qetën në të cilën thyhet qafa.
Porse ai që të besojë në të, nuk do të turpërohet.’