1 Qeveritari i mirë e edukon popullin e vet
e qeverimi i të arsyeshmit është i qëndrueshëm.
2 Si të jetë qeveritari,
të tillë janë edhe ministrat;
si të jetë kryetari i qytetit,
të tillë do të jenë edhe qytetarët.
3 Mbreti i marrë e rrënon popullin e vet,
qytetet përparojnë sipas urtisë së krerëve.
4 Në duart e Hyjit është pushteti mbi tokë,
dhe në kohë të duhur ia ngrit sundimtarin e vyer.
5 E mbara e njeriut është në duart e Hyjit,
mbi personin e ligjdhënësit e vë nderin e vet.
6 Për asnjë fyerje të afërmit mos iu hakmerr,
dhe mos bëj asnjë veprim madhështie.
7 Krenaria është e urrejtshme para Hyjit e para njerëzve,
për të dy është e neveritshme çdo nëpërkëmbje.
8 Mbretëria kalon nga një popull në tjetër
për shkak të padrejtësive,
të dhunës e të pasurisë së padrejtë.
9 S’ka gjë më të mbrapshtë se dëshirimi i kamjes,
koprraci edhe shpirtin e vet e ka për ta shitur.
10 Pse krenohet dheu e hiri?
Sepse edhe për së gjalli i hedh përbrendësat e veta!
11 Sëmundja e gjatë e mërzit mjekun,
sëmundja e shkurtër e kthjellon mjekun.
12 Çdo pushtet e ka të shkurtër jetën:
kështu edhe mbreti sot është e nesër vdes.
13 Kur njeriu të vdesë
do të trashëgojë gjarpërinj, egërsira e krimba.
14 Fillimi i krenarisë së njeriut është rënia prej Hyjit;
15 zemra e tij largohet prej Krijuesit të vet.
Sepse fillimi i çdo mëkati është krenaria,
kush jepet pas saj, vlon me mallkime
e në fund sharron prej saj.
16 Prandaj Zoti mrekullisht i ndëshkon të këqijtë
dhe krejtësisht i zhduk.
17 Hyji i rrafshoi selitë e prijësve krenarë
e i vendosi në vend të tyre të përvuajturit.
18 Hyji i çrrënjosi rrënjët e kombeve krenare,
e në vend të tyre mbolli të përvuajturit.
19 Zoti i rrafshoi tokat e paganëve
dhe i rrënoi deri në themele.
20 I thau disa prej tyre dhe i shpërnguli,
e bëri të harrohet kujtimi i tyre nga toka.
21 Hyji e zhduki kujtimin e krenarëve
dhe e ruajti kujtimin e të përvuajturve të vetdijshëm.
22 Nuk qe krijuar krenaria për njerëz
as hidhërimi për të lindurit nga gruaja.
23 Cila dorë njerëzish është e nderuar?
Ajo që e druan Hyjin!
Kurse s’do të nderohet ajo dorë njerëzish
që i shkapërcen urdhërimet e Zotit.
24 Mes vëllezërve nderohet prijësi i tyre;
ata që e druan Zotin janë të nderuar para tij.
25 Endacaku, ardhacaku e skamnori:
frika e Hyjit është mburrja e tyre!
26 Mos e përbuz skamnorin e drejtë
e mos e madhëro mëkatarin e pasur.
27 Kryetari, gjykatësi e sundimtari duhen nderuar,
por s’ka më të madh se ai që e druan Hyjin.
28 Skllavit të urtë i shërbejnë të lirët,
njeriu i urtë e i ditur nuk nynykat kur të jetë qortuar.
29 Mos shit mend kur kryen punën tënde
e mos u lëvdo kur të jesh ngusht.
30 Më i mirë është ai që punon e ka gjithçka se ai që mburret e s’ka bukë.
31 Bir, me përvujtëri jepi nder vetes
dhe ushqeje e nderoje veten sipas meritës.
32 Kush do ta shfajësojë atë që vetvetes i bën të keqen?
Kush do ta nderojë atë që vetveten e çnderon?
33 Ka skamnor që nderohet pse është i ditur e i ndershëm,
ka edhe njeri që nderohet pse është i pasur.
34 Kush nderohet në skamje aq më tepër do të nderohet në pasuri!
Kush s’nderohet në pasuri, aq më pak në skamje!