< Sir 10 Sir 12 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 11)
11

1 Urtia e të përvuajturit e bën lart ta mbajë kokën
dhe e bën të rrijë mes të mëdhenjve.

2 Mos e lëvdo njeriun për bukurinë e tij,
as mos e përbuz pse s’është i pashëm.

3 E vogël është bleta ndër kafshët fluturuese,
por fryti i saj ka epërsinë mbi ëmbëlsira.

4 Kurrë mos u mburr për petkat e tua,
as mos u kreno kur të jesh nderuar,
sepse vetëm veprat e të Tejetlartit janë të mrekullueshme,
e megjithatë janë të fshehta e të papashme
veprat e Tija prej njerëzve.

5 Shumë mbretër ndenjën në pluhur
e, një tjetër që s’pritej, mbarti kezën.

6 Shumë pushtetmëdhenj qenë mposhtur pa masë
e shumë të shquar ranë në pushtet të tjetërkujt.

7 Para s’e ta kesh pyetur askujt mos i bërtit,
pasi ta kesh pyetur, qortoje drejt.

8 Para se të kesh dëgjuar, mos përgjigj
e mos u përziej ndërsa mbahet fjalimi.

9 Për atë çështje që ty nuk të përket, mos bëj grindje
e mos merr pjesë në gjyq të mëkatarëve.

10 Bir, mos merr mbi vete tepër shumë punë,
nëse ngutesh s’do të jesh pa faj:
sado që të ngutesh, nuk do të arrish
dhe s’do t’ia dalësh të shpëtosh me ikje.

11 Ka njeri që mundohet, ngutet e vret veten:
e megjithatë s’ia del të begatet.

12 Ka njeri të gjorë, që ka nevojë për ndihmë,
përmëtepër të pafuqi, të pasur me skamje,

13 por syri i Hyjit e shikon me mirësi,
e ngrit prej mjerimit të tij,
e lartëson kokën e tij:
dhe shumëkushi mbetet i habitur.

14 E mira dhe e keqja, jeta e vdekja,
skamja e kamja prej Hyjit vijnë.

15 Urtia e kuptimi e njohja e Ligjit
te Zoti janë,
dashuria, veprat e dashurisë janë prej Tij.

16 Gabimi e terri kanë qenë krijuar për mëkatarët,
ata që krenohen për të këqija, plaken në të këqija.

17 Dhurata e Hyjit qëndron me të përshpirtshmit
dhe përkrahja e Tij përparon përgjithmonë.

18 Dikush pasurohet në fuqi të kursimit
dhe ja, shpërblimi i tij:

19 thotë një ditë: “Tanipo pushoj,
tani do të ha vetëm të mirat e mia”,

20 e s’di se koha kalon, vdekja afrohet,
e do t’i lërë të gjitha të tjerëve e do të vdesë.

21 Qëndro në detyrën tënde dhe kryeje me kujdes
e plaku në plotësimin e detyrave të tua.

22 Mos u lakmo veprave të mëkatarëve;
shpreso në Hyjin e kryeje punën tënde,

23 sepse punë e lehtë është për Hyjin
papritmas ta bëjë të pasur skamnorin.

24 Bekimi i Hyjit është shpërblim i vazhdueshëm i të drejtit
dhe në një moment të shpejtë lulëzon përparimi i tij.

25 Mos thuaj: “Për çka kam nevojë
e ç’të mira të tjera më lypen pas tashit?”

26 Mos thuaj: “Kam gjithçka mjaft!
Ç’e keqe tjetër mund të më gjejë?”

27 Në të mira mos i qit në harresë të vështirat e
në të vështira mos i qit në harresë të mirat,

28 sepse lehtë e ka Hyji ditën e vdekjes
të shpërblejë secilin sipas jetës së tij.

29 Mjerimi i një çasti bën të harrohet mirëqenia
dhe vdekja e njeriut i zbulon veprat e tija.

30 Para vdekjes askënd mos e mbaj të lum,
sepse në fund të jetës njihet njeriu.

31 Mos shtjer gjithkënd në shtëpinë tënde,
sepse të shumta janë dredhitë e të keqit.

32 Sikurse rropullitë lëshojnë erë të rëndë,
sikurse fëllënza joshëse në kafaz,
porsi sorkadhja në lak,
ashtu është zemra e krenarëve,
porsi spiuni vëren rënien e të afërmit.

33 Shpifësi të mirën e shndërron në të keqe
i njollos edhe njerëzit e virtytshëm.

34 Nga një shkëndijë e vetme bëhet prushi,
prej njeriut të keq bëhen gjaqe;
njeriu mëkatar bëhet pusi për vrasje.

35 Ruaju kolerësjellësit se djerron të keqen
që rastësisht të mos njollosë me njollë të përhershme.

36 Pranoje në shtëpi të huajin e do të të pështjellojë gjithçka,
do të të bëjë të huaj për njerëzit e tu.



Fjala e Zotit