1 Kush përket pëshkven, prej saj zhytet;
po edhe kush shoqërohet me krenarin, vishet me krenari.
2 Barrë më të rëndë sesa mund ta çosh mos merr,
as mos u bëj shok me më të ndershëm e më të pasur se ti.
3 Pse të rrinë bashkë fulterja e vegshi?
Sepse, kur të ndeshen, do të thyhet.
4 Pasaniku bën padrejtësi e turfullon,
ndërsa skamnori, edhe i fyer, kërkon ndjesë.
5 Nëse i je i dobishëm, të shfrytëzon,
por, nëse ke nevojë, të braktis.
6 Nëse ke ndonjë të mirë, bashkëjeton me ty,
të rrëmben çka ke e s’është më në kujdes për ty.
7 Nëse do të ketë nevojë për ty, do të të gënjejë
e, duke u qeshur, do të japë shpresë me fjalë të mira
e do të thotë: “Për çka ke nevojë?”
8 E do të të turpërojë me gosti kremtore,
deri që të të shfrytëzojë dy a tri herë
e në fund do të të vërë në lojë.
Kur pastaj do të të shohë, do të shmanget
e do të luajë me kokë para teje.
9 Përvujtërohu para Hyjit e shpreso prej dorës së tij.
10 Kujdesu të mos lejosh të shfrytëzohesh
e të mposhtesh për shkak të marrisë sate.
11 Mos ji i përvuajtur në urtinë tënde,
që të mos përvujtërohesh e të gënjehesh në budallallëkun tënde.
12 po të thirri ndonjë i madh, rri larg,
dhe aq më tepër do të të thërresë.
13 Mos u fur që të mos përbuzesh,
por as tepër larg mos i rri, që të mos harrohesh.
14 Mos i jep vetes liri të flasësh me të si me të barabartë,
as mos u beso fjalëve të tija të shumta;
me fjalë të shumta ai do të vërë në provë
dhe, duke u qeshur, t’i zbulon edhe zorrët.
15 Njeri i pashpirt është e i mban mend fjalët e tua:
s’do t’i kursejë as të këqijat as prangat.
16 Ruaju e ki kujdes për çka dëgjon,
sepse po bën rrugë me rrënimin tënd!
17 Kur t’i dëgjosh këto fjalë,
zgjohu nga gjumi.
18 Me gjithë jetën tënde duaje Hyjin
e thirre atë për shpëtimin tënd.
19 Çdo kafshë e do llojin e vet:
kështu edhe njeriu shokun e vet.
20 Çdo gjallesë bashkohet me llojin e vet,
kështu edhe njeriu me të ngjashmit e vet.
21 Ç’punë ka bisha me qengjin?
Kështu edhe mëkatari me të drejtin.
22 Si përkojnë hiena e qeni?
Ose ç’pjesë mes pasanikut e skamnorit?
23 Gomari në shkretëtirë – gjahu i luanit,
kështu edhe kullota e të pasurve janë skamnorët.
24 Sikurse krenari e ka inat përvujtërinë,
kështu i iritet edhe pasanikut skamnori.
25 Pasaniku nëse rrëzohet, mbahet prej miqve të tij,
ndërsa nëse bie skamnori, përbuzet edhe prej të njohurve.
26 Rrëshqet pasaniku, shumë i vijnë në ndihmë,
në foltë marrëzira, patjetër e përligjin.
27 Po ra i varfri, përmëtepër e qortojnë;
në foltë fjalë të urta, askush s’ia vë veshin.
28 Flet pasaniku, të gjithë heshtin,
dhe fjalën e tij e ngrenë deri në re.
29 Flet skamnori, pyesin: “Kush është ky?”,
e nëse pengohet, i japin edhe shtytjen.
30 E mirë është pasuria
për atë që s’ka mëkat në ndërgjegje,
tejet i keq skami sipas fjalës së të paudhëve.
31 Zemra ia ndërron pamjen njeriut
o në të mirë o në të keq.
32 Fytyra e gëzueshme është shenja e zemrës së mirë,
vështirë do ta gjesh e me mund të madh.