< Sir 14 Sir 16 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 15)
15

1 Kështu vepron ai që e druan Hyjin
e kush është besnik ndaj Ligjit
do ta fitojë urtinë.

2 Urtia i del përpara porsi nëna e ndershme
dhe e pret porsi gruaja e virgjër.

3 E ushqen me bukë të jetës e të kuptimit,
e ujon me ujë të urtisë shëlbimprurëse.
Ai bëhet i patrandshëm në të e s’do të lëkundet,

4 ka besim në të e nuk do të turpërohet.
Ajo e lartëson atë përmbi shokët e tij

5 dhe mes kuvendit gojën ia hap,
e mbush me shpirt urtie e kuptimi
dhe e vesh me petkun e lavdisë.

6 E pajis me ëmbëlsi e me gëzim
dhe e merr trashëgim emrin e përhershëm.

7 Njerëzit e marrë kurrë s’do ta fitojnë,
kurse njerëzit e mençur vetë i dalin në takim;
mëkatarët s’do ta shohin me sy,
sepse ajo rri larg nga krenaria e dredhia.

8 Rrenacakëve as që u bie ndër mend për të,
kurse dashamirësit e të vërtetës gjenden në të
e do të përparojnë deri të shohin Hyjin.

9 Lavdërimi i saj s’i ka hije gojës së mëkatarit,

10 sepse nuk i ka qenë dhuruar prej Hyjit.
Urtisë së Hyjit i takon lavdërimi
dhe e thotë goja e të urtit
dhe pronari i saj e mëson atë.

11 Mos thuaj: “Prej Hyjit është mëkati im!”,
sepse çka Ai urren, kurrë nuk e bën.

12 Mos thuaj: “Ai vetë më joshi!”,
sepse Atij s’i duhen gjë mëkatarët.

13 Hyji ka bezdi çdo poshtërsi,
e urrejnë edhe të gjithë ata që e druan.

14 Hyji që në fillim e krijoi njeriun
e la në dorë të vullnetit të lirë
dhe e lëshoi në dorë të dëshirimit të vet.

15 I dha urdhrat e urdhërimet e veta
dhe dijen për të kryer çka Atij i pëlqen.

16 Nëse do t’i mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë;
nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh.

17 Para t’i vuri ujin e zjarrin,
ku të duash, shtrije dorën tënde!

18 Përpara njeriut jeta e vdekja, e mira dhe e keqja:
çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i jepet.

19 Sepse e madhe është urtia e Hyjit,
Ai është i madh në pushtet e pandërprerje sheh gjithçka.

20 Sytë e Hyjit priren mbi ata që e druajnë,
Ai i njeh të gjitha veprat e njeriut.

21 Askujt s’i ka urdhëruar të jetë i patenzonë
dhe askujt s’i ka dhënë leje të mëkatojë.

22 Mos dëshiro shumë fëmijë të patenzonë e bakëqij.



Fjala e Zotit