1
Ai që jeton në jetë të jetës krijoi gjithësinë.
Vetëm Hyji është i drejtë
e mbetet mbret i pamposhtur për amshim.
2 Kush është i aftë t’i tregojë veprat e tija?
3 Kush mund t’i gjurmojë madhëritë e tija?
4 Kush mund ta shpallë fuqinë e madhërisë së tij?
Ose kush mund të marrë guxim ta tregojë mëshirën e tij?
5 S’ka çka mund t’i hiqet as që mund t’i shtohet,
është e pamundur të shqyrtohen mrekullitë e Tenzot!
6 Kur njeriu mendon se i dha fund, atëherë ia fillon,
e, kur zë vend, sheh se sa pak di!
7 Çka është njeriu, ky i sëmurë, ç’dobi ka?
Cila është e mira e cila e keqja e tij?
8 Numri i ditëve të njeriut më së shumti njëqind vjet,
s’janë më shumë se një pikë e ujit të detit,
se një kokërr rërë në krahasim me amshimin!
9 Për këtë arsye Hyji është i mëshirshëm me njerëzit
dhe zbraz mbi ta mëshirën e vet.
10 E sheh vetëbesimin e zemrës së tyre se është e keqe,
e njeh prishjen e tyre se është e mbrapshtë,
11 prandaj e shtoi dhembshurinë mbi ta
dhe ua tregoi udhën e drejtësisë.
12 Mëshira e njerëzve ushtrohet ndaj të afërmit,
ndërsa mëshira e Hyjit ushtrohet ndaj të gjithë të gjallëve.
13 Ai qorton, mëson e edukon
porsi bariu që e drejton grigjën e vet.
14 Ka mëshirë për ata që e marrin mësimin e mirësjelljes,
ata që shpejtojnë të kryejnë urdhërimet e tija.
15 Bir, bamirësinë mos e përcill me qortim
as dhuratën me fjalë të vrazhda.
16 Pse, a të nxehtët nuk e freskon vesa?
Kështu edhe fjala është më e mirë se dhurata.
17 Pse, a thua s’vlen fjala më shumë se dhurata e mirë?
Por të dyja gjenden në njeriun e hirshëm.
18 I marri qorton me ashpërsi
e dhurata e smirëziut bën të pëlcasë vaji.
19 Para gjyqit bëja vetes gati avokatin
e para se të flasësh, mëso.
20 Para sëmundjes përdore barin shërues,
para gjyqit shqyrtoje vetveten
dhe në kohën e të parit do të gjesh mëshirë.
21 Para sëmundjes përule vetveten,
kur të kesh mëkatuar, dëfto se je penduar.
22 Mos e lër pa kryer kushtin në kohën përkatëse
e mos prit vdekjen për t’u shfajësuar,
sepse shpërblimi i Hyjit mbetet në amshim.
23 Para se të bësh kusht përgatite veten
e mos ji si ai që e vë në provë Hyjin.
24 Mendo mbi hidhërimin e ditëve të fundit
e për kohën e ndëshkimit kur Hyji të kthejë fytyrën.
25 Në kohën e begatisë mendoje urinë,
edhe për varfëri e skamje në kohë të kamjes.
26 Nga mëngjesi në mbrëmje ndërron koha
e gjithçka kalon me vrap para syve të Hyjit.
27 I urti gjithmonë rri gati
e në ditët e mëkatit ruhet prej fajit.
28 Njeriu i mençur e njeh urtinë
dhe e lavdëron atë që e gjen.
29 Ata që i marrin vesh fjalët e urta
edhe vetë bëhen të urtë,
e kuptojnë të vërtetën e drejtësisë
dhe si shi derdhin fjalë të urta e thënie.
30 Zotërimi i vetvetes.
Mos i ndiq dëshirimet e tua
dhe ruaje vetveten prej epsheve të tua.
31 Nëse ia lejon shpirtit tënd plotësimin e dëshirimit,
do t’i bësh të kënaqen armiqtë e tu.
32 Mos e kënaq veten me gosti të shumta,
sepse rrjedhimi i tyre është varfëri e dyfishtë.
33 Mos ji grykës e pijanec
kur kuletën e ke pa gjë:
do të bëhesh smirëziu i jetës sate.