< Sir 18 Sir 20 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 19)
19

1 Punëtori pijanec nuk do të bëhet i pasur
e kush përbuz gjërat e vogla,
për së shpejti do të bëhet i varfër.

2 Vera e gratë i prishin edhe të mençurit,
sharron ai që bashkohet me lavire:
bëhet prona e kalbësirës dhe e krimbave.

3 Mendja e madhe e zeza e të zot:
shuhet prej të gjallëve jeta e tij
dhe do të përmendet si shembull bindës.

4 Kush beson shpejt, është mendjelehtë edhe i mangët;
atij që e dëmton jetën e vet,
kush do t’i jetë i padëmshëm?

5 Kush kënaqet në të keqe, do të ndëshkohet;

6 kush e urren qortimin, shkurton jetën,
kush urren fjalamaninë, zhduk paudhësinë.

7 Kurrë mos e përsërit fjalën e keqe e të rëndë
e me siguri nuk do të kesh farë dëmi.

8 Mos fol për mik as për armik
e, nëse e di fajin, mos e zbulo:

9 sepse do të të dëgjojë e do të të ruhet
e, për të mbrojtur fajin, do të të urrejë.

10 Dëgjove ndonjë fjalë për të afërmin?
Ruaje në vetvete, sepse nuk do të bëjë të pëlcasësh!

11 Kur dëgjon diçka, të marrin e kapin dhimbjet,
si dhimbjet e lindëses së fëmijës:

12 shigjetë e ngulur në kofshën e njeriut
është fjala në zemrën e të marrit.

13 Pyete mikun a mos e ka bërë të keqen
e ai do të të thotë: “S’e kam bërë!”,
ose, nëse e ka bërë, porosite të mos vazhdojë.

14 Pyete të afërmin a mos ka thënë
e, nëse e ka thënë, këshilloje të mos e përsëritë.

15 Pyete mikun, sepse shpesh janë shpifje

16 e mos i beso secilës fjalë.
Njeriut shpesh mund t’i shpëtojë ndonjë fjalë
pa qëllim të keq,

17 e kush është që nuk gabon në ndonjë fjalë?
Pyete të afërmin para se të kërcënohesh

18 dhe lëri vend Ligjit të të Tejetlartit.
@@@
E tërë urtia qëndron në frikën e Hyjit,
në të është kryesore të druhet Hyji:
në të gjithë urtinë qëndron nderimi i Ligjit.

19 Nuk është urti dija e të keqes
e s’është mençuri këshilli i mëkatarëve.

20 Ka mendjemprehtësi që është e urrejtshme,
ka të marrë që i mungon vetëm urtia.

21 Më i mirë është njeriu me dije të vogël,
por plot me frikë të Zotit,
se njeriu plot dije që e shkel Ligjin e Tenzot.

22 Ka mendjemprehtësi të hollë e megjithatë të padrejtë:

23 përdor dredhi për të nxjerrë veten të drejtë.
Ka nga ata që shiten të ndrydhur e të përgrirë
e brendia e tyre është plot dredhi.

24 Ka edhe të tillë që përkulen shumë
sikur prej përvujtërisë së madhe,
me fytyrë përdhe, veshët i shtjen në lesh,
po s’e vure re, të sulmon në moh.

25 Nëse s’bën keq pse i mungon forca për të bërë keq,
kur ta gjejë rastin, s’e lë pa bërë keq.

26 Nga pamja e jashtme njihet njeriu,
nga pamja e fytyrës njihet njeriu i arsyeshëm:

27 petku i njeriut, qeshja e dhëmbëve
e të ecurit e njeriut tregojnë se kush është.

28 Ka qortim që nuk është i përshtatshëm,
ka edhe mundësi që s’vërtetohet se është e mirë;
ka kush kalon në heshtje e ai është i matur.



Fjala e Zotit