< Sir 19 Sir 21 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 20)
20

1 Sa më mirë është të qortosh se ta mbash hidhërimin;
atij që e pranon gabimin pranoja lutjen.

2 Tredhak zhvirgjërues i virgjërës

3 është ai që me dhunë do të mbajë drejtësinë!

4 Sa mirë është kur i qortuari
e vërteton së është penduar!
Kështu i ikën mëkatit të vullnetshëm.

5 Dikush hesht e çmohet i mençur,
një tjetri s’i hyn gjuha në gojë e bëhet i urrejtshëm.

6 Dikush hesht, pse s’di të përgjigjë,
një tjetër hesht pse e di kohën e përshtatshme.

7 Njeriu i mençur hesht deri në çastin e volitshëm,
llafazani e marrani s’e presin rastin.

8 Kush flet tepër bëhet i urryeshëm,
e ai që i jep vetes tepër liri, bëhet i neveritshëm.

9 Dikush edhe në fatkeqësi nxjerr fitim,
por ka edhe dobi që sillet në dëm.

10 Ka dhuratë që s’ka farë dobie
e ka dhuratë që vlen dyfish.

11 Ka lavdi që çon në përvujtërim,
dhe që nga përvujtërimi e lartëson kokën.

12 Ka që blen shumë gjëra me çmim të vogël,
e ndërkaq e paguan shtatëfish.

13 I urti me fjalë e bën veten të dashur,
kurse përkëdheljet e të marrit shkojnë hupës.

14 Dhurata e të marrit nuk të del e dobishme,
sepse syri i tij dëshiron të nxjerrë shtatëfish:

15 jep pak e fyen shumë,
goja e tij e hapur si goja e lajmshpallësit /tellallit/.

16 Sot huazon e nesër kërkon t’i kthehet:
njeriu i tillë është i neveritshëm.

17 I marri thotë: “S’kam mik,
s’gjej falënderim për bamirësitë e mia.”

18 Sepse ata që po hëngërkan bukën e tij
na qenkan fjalëkëqij!
Sa herë e sa shumë njerëz do ta vënë në lojë!

19 Sepse çka ka nuk e ndan me shpirt të drejtë
edhe gjithashtu për çka s’ka s’është në kujdes.

20 Më mirë të rrëzohesh për tokë
se të gabosh me gjuhë:
kështu rënia e mëkatarëve vjen papritmas.

21 Njeriu i pahir përrallë e pakripë:
gjendet në gojën e të pagdhendurve.

22 Fjala e urtë s’vlen gjë në gojën e të marrit,
sepse nuk e thotë në kohë të përshtatshme.

23 Ka nga ata që i ndalon të mëkatojnë skamja
e në kohë të pushimit nuk i bren ndërgjegjja.

24 Ka nga ata që birren nga turpi i shekullit,
humbasin për faqen e të marrit.

25 Ka edhe nga ata që prej turpit i premton ndonjë gjë mikut
dhe e bën armik pa nevojë.

26 Njollë e keqe në njeriun gënjeshtra
dhe është vazhdimisht në gojën e të pagdhendurve.

27 Më mirë brac se trillues gënjeshtrash:
por të dy do të trashëgojnë rrënimin.

28 Sjellja e njeriut që gënjen është e pandershme,
turpi e përcjell vazhdimisht.

29 Bisedë mbi urtinë:
I urti e nderon veteveten me fjalë,
njeriu i mençur u pëlqen të mëdhenjve.

30 Kush punon tokën e vet, do të ketë të korra të mëdha,
kush vepron drejt, rrit vetveten
e kush u pëlqen të mëdhenjve, i shpëton paudhësisë.

31 Dhuntitë e dhuratat i verbojnë sytë e gjykatësve,
e si tapa në gojë i shmangin qortimet e tyre.

32 Një urti e mbajtur fshehur e visari që s’shihet,
ç’dobi prej të dyve?

33 Më i mirë është ai që e fsheh padijen e vet
sesa ai që e fsheh dijen e vet.
Mëkate të ndryshme



Fjala e Zotit