1 Lavdi urtisë.
Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin
dhe do të mburret në mes të popullit të vet,
2 në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën
dhe lëvdohet në praninë e tij:
3 lartësohet në mes të popullit të vet,
do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë,
4 lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve
dhe në mes të bekuarve do të bekohet e do të thotë:
5 “Kam dalë prej gojës së të Tejetlartit,
e parëlindura para të gjitha krijesave.
6 Unë bëra që në qiell të lindë drita e pashqimtë
e porsi mjegulla e mbulova mbarë tokën.
7 Në lartësitë qiellore ngula banesën time
dhe troni im në shtyllën e resë.
8 Vetëm e përshkova rrethin qiellor,
depërtova deri në fund të oqeanit,
9 qëndrova mbi valët e detit e kudo mbi tokë;
10 kam përparësinë mbi çdo popull e çdo komb,
11 sundoj mbi zemrat e të shquarve e te përvuajturve.
Në të gjithë këta kërkova pushim:
kujt t’i bëhem trashëgim?
12 Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë,
Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime
13 duke më thënë: ‘Ngule banesën ne Jakob
e merre për pronë Izraelin
dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi.’
14 Që në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar
dhe s’do të pushoj të jem askurrë!
15 Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë
e kështu kam ngulur banesën në Sion.
Kështu më dha pushim në qytetin e dashur
dhe pushtetin e kam në Jerusalem.
16 Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm,
në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij,
dhe banimi im është në mesin e shenjtërve.
17 U lartësova porsi cedri në Liban,
porsi selvia në malin Hermon.
18 U rrita porsi palma në Engadi
dhe porsi trëndafiloret në Jerik.
19 Porsi ulliri i bukur në lugina,
u rrita porsi rrapi në breg të lumit, në sheshe.
20 Si cinamomi e balsami erëzues dhashë erë të mirë,
dhashë erë të këndshme porsi mirra e dorës së parë,
21 porsi storaksi, galbani, si vaji i mirrës, i aloesë
dhe porsi era e Libanit në Tendën e shenjtë.
22 Porsi terebentina i hapa degët
e degët e mia degë nderi e hiri.
23 Porsi hardhia bulëzova hijeshinë
e lulet e mia lidhin fryte nderi e ndershmërie.
24 Unë jam nëna e dashurisë së bukur, e frikës,
e dijes dhe e shpresës së shenjtë.
25 Në mua është hiri i çdo udhe të vërtetë,
në mua është çdo shpresë jete e virtyti.
26 Ejani tek unë të gjithë ju që më dëshironi
e do të mbusheni me të mirat e mia.
27 Mësimi im është më i ëmbël se mjalti,
më i ëmbël se mjalti në hoje,
28 kujtimi im në jetë të jetës.
29 Ata që më hanë, përsëri do të kenë uri,
ata që më pinë, përsëri do të kenë etje.
30 Kush më dëgjon mua, nuk do të turpërohet,
kush i kryen veprat e mia, kurrë nuk do të gabojë.
31 Kush më ndriçon mua, do ta ketë jetën e pasosur”.
32 E gjithë kjo është Libri i Besëlidhjes së të Tejetlartit,
33 Ligji që na e ka urdhëruar Moisiu
si trashëgim shtëpisë së Jakobit.
34 I dha Davidit, shërbëtorit të vet,
të ngritë prej tij një mbret tejet të fortë,
që të rrijë përherë mbi fronin e nderit.
35 Ligji është përplot me urti si Fisoni me ujë,
porsi Tigri në ditët e pranverës,
36 bën të vërshojë aftësia mendore si Eufrati,
porsi Jordani në kohën e të korrave,
37 e zgjeron disiplinën porsi Nili ujin
porsi Gehoni në kohën e të vjelave.
38 S’ia doli i pari ta marrë vesh plotësisht,
as i fundit s’do të mund ta shqyrtojë sa duhet.
39 Mendimi i tij është më i begatë se deti,
trillimet me të thella se oqeani.
40 Unë, urtia, i zbraza lumenjtë,
41 jam porsi kanali i ujërave të shumta të lumit,
porsi ujësjellësi i sjellë ndër kopshte.
42 Thashë: “Do ta ujis kopshtin tim me të mbjella,
do t’i ngij me ujë lulishtet e mia.”
43 Dhe, ja, e bëra një kanal në lumë
dhe lumi im erdhi e u bë det.
44 Do ta bëj të ndriçojë mësimi im si agimi,
do ta bëj të ndriçojë larg e larg.
45 Do të përshkoj tokën në të gjitha pjesët e poshtme,
do t’i mbikëqyr të gjithë ata që flejnë,
do t’i ndriçoj të gjithë ata që shpresojnë në Zotin.
46 Mësimin do ta ndikoj porsi profecinë
dhe do t’ua lë breznive të ardhshme
e s’do të sosem në breznitë e tyre për amshim.
47 Shikoni: s’u mundova vetëm për vete,
por për të gjithë ata që e kërkojnë.