1 Shpirtit tim i pëlqejnë tri gjëra
që janë të pëlqyeshme para Hyjit e njerëzve:
2 përkimi mes vëllezërve e dashuria mes fqinjve,
burri e gruaja që përkojnë në dashuri.
3 Po edhe tri lloje njerëzish i urren shpirti im
dhe tepër e kam inat jetën e tyre:
4 skamnorin krenar, pasanikun rrenacak,
plakun fëlligështar që e ka lënë mendja.
5 Nuk bashkove asgjë në rini,
çka do të gjesh në pleqëri?
6 Sa bukur u ka hije thinjave gjykimi
dhe pleqve njohja e këshillit!
7 Sa e hijshme është për të vjetrit urtia
dhe për të shquarit kuptimi e këshilli!
8 Keza e pleqve përvoja e madhe
e mburrja e tyre frika e Zotit.
9 Nëntë gjëra shpirti im i mban të lume
e të dhjetën mund ta thotë gjuha ime:
10 njeriu që e gjen gëzimin në fëmijët e vet
e që ia arrin të shohë rënien e armiqve të vet;
11 i lum ai burrë që jeton me grua të arsyeshme
dhe nuk i duhet të lëvrojë njëherësh me ka e me gomar;
ai që nuk gaboi me gjuhën e vet
e kur s’i shërben më të padenjit se vetja.
12 I lumi ai që gjeti mik të vërtetë
e ai që ua tregon drejtësinë veshëve që e dëgjojnë.
13 O sa i madh është ai që e ka gjetur urtinë e dijen,
megjithëse s’është më i madh se ai që e druan Hyjin.
14 Frika e Hyjit i tejkalon të gjitha,
15 ai që e ka me kë të krahasohet?
16 Frika e Zotit fillimi i dashurisë së tij,
feja fillimi i mbështetjes në Të.
17 Çdo plagë, por jo trishtimi i zemrës,
çdo e keqe, por jo e keqja e gruas!
18 Çdo plagë, por jo plaga e zemrës,
19 çdo prapësi, por jo prapësia e gruas!
20 Çdo fatkeqësi, por jo fatkeqësia që vjen prej urryesit,
21 çdo hakmarrje, por jo hakmarrja prej armiqve!
22 S’ka helm më të keq se helmi i shlligzës,
23 S’ka hidhërim përmbi hidhërimin e gruas.
Më fort pëlqen të banohet me luan e dragua
se të banohet me grua të keqe.
24 Djallëzia e gruas ia ndërron fytyrën
dhe ia ngrys faqen si ariut.
Kur mes shokëve rri burri i saj,
25 ofshan i shkreti edhe padashur.
26 E vogël është çdo djallëzi krahas me djallëzinë e gruas:
e gjettë fati i mëkatarëve!
27 Siç është përpjetja rënore për këmbët e plakut,
e tillë është për burrin gruaja gjuhëmadhe.
28 Mos lejo të të joshë bukuria e gruas,
e mos dëshiro çka ajo ka.
29 Mjerim i madh, turp e poshtërsi,
30 gruaja që merr epërsi mbi burrin e vet.
31 Shpirt i përulur, fytyrë e trishtuar
e plagë në zemër është gruaja e keqe.
32 Duar të mekura e gjunj të këputur,
gruaja që s’e bën të lum burrin e vet.
33 Prej gruas zuri fill mëkati
e për faj të saj të gjithë vdesim.
34 Ujit mos i lër dalje, as më të voglën,
as liri të flasë gruas së keqe.
35 Nëse nuk sillet sikurse i thua,
do të të turpërojë ndër sy të armiqve;
36 ndaje prej trupit tënd
dhe nise prej shtëpisë sate.