1 Lum burri i gruas së ndershme:
numri i ditëve të tija i dyfishtë.
2 Gruaja e ndershme është gëzimi i burrit të vet
dhe vjetët e jetës së tij i mbush në paqe.
3 Gruaja e mirë është pjesë e mirë
e do ta kenë fat ata që e druajnë Hyjin:
burri i mirë që i ka veprat e mira.
4 Si në qoftë pasanik si në qoftë skamnor,
zemrën e ka mirë e fytyrën e ka gjithmonë të gëzueshme.
5 Nga tri gjëra trembet zemra ime
e nga e katërta kam frikë:
6 Nga shpifja në qytet, kuvendi i vegjëlisë
7 dhe nga paditja e rreme:
janë më të rënda se edhe vetë vdekja,
8 por edhe plasje zemre është e mjerim
gruaja mendjezezë në një grua tjetër
9 dhe frushkullimi i gjuhës që rreh të gjithë.
10 Zgjedhë qesh që s’zë vend është gruaja e keqe,
kush mendon ta sundojë, kap me dorë akrepin.
11 Gruaja që dehet hidhërim i madh e poshtërsi,
turpi i saj s’mund të mbulohet.
12 Fëlligështia e gruas është në shikimin e saj të paturp
e njihet në qerpikët e saj.
13 Mbi vajzën kryeneçe forcoje mbikëqyrjen,
që të mos e shpërdorojë rastin e volitshëm.
14 Ruaj se të joshë syri i pandershëm
që të mos çuditesh nëse të shpie në faj.
15 Porsi udhëtari i etshëm e hap gojën
e pi çdo ujë që të ketë pranë,
rri përbri çdo huri
e çdo shigjete ia hap kukurrën deri në mbarim.
16 Gruaja e mirë dhe e kujdesshme gëzon burrin e vet,
eshtrat ia forcon
17 dija e saj.
Dhuratë e Hyjit
18 është gruaja e mençur e fjalëpakë:
s’ka çmim për njeri të mirërritur.
19 Hir mbi hir gruaja e shenjtë dhe e turpshme:
20 s’ka çmim të denjë për njeriun që di të përmbahet.
21 Sikurse dielli që i lind botës në lartësitë e Hyjit,
ashtu ndriçon bukuria e gruas në rregullimin e shtëpisë.
22 Si qiriu që ndriçon mbi shandanin e shenjtë,
ashtu është bukuria e fytyrës në trup mirë të zhvilluar.
23 Shtylla të arta mbi baza të argjendta,
të tilla janë këmbët e bukura mbi shputa të forta të gruas.
24 Themele të përheshme mbi qetën e gjallë,
urdhërimet e Hyjit në zemrën e gruas së shenjtë.
25 Dy gjëra ma trishtojnë zemrën
dhe e treta ma ndez hidhërimin:
26 kur luftëtarin e pret në pleqëri mjerimi,
kur të urtin e përbuzin
27 e kur prej drejtësisë njeriu kthehet në mëkat:
për këtë Hyji gati e ka shpatën.
28 Dy veprime më duken të vështira e të rrezikshme:
vështirë mund të nxirret tregtari nga faji
edhe shitësi vështirë mund të jetë pa mëkat.