< Sir 27 Sir 29 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 28)
28

1 Kush do të hakmarrje, do të gjëjë hakmarrje prej Zotit
e mëkatet e tija gjithmonë i ruan para sysh.

2 Falja padrejtësinë të afërmit tënd
e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen.

3 Njeriu mban hidhërim kundër njeriut,
si mund të kërkojë prej Hyjit shërim?!

4 S’ka mëshirë për njeriun, të ngjashmin e vet,
e lutet t’i falen mëkatet e tija?!

5 Ai, vdekatar, mban në zemër hidhërim,
dhe kërkon që Hyji të jetë me të i dhimbshëm?!
Kush do të lutet për fajet e tija?!

6 Të të bjerë në mend mbarimi yt e pusho të urresh;

7 kujto shkatërrimin e vdekjen e mbaj urdhërimet.

8 Kujtoji urdhërimet e mos iu hidhëro të afërmit!

9 Kujto Besëlidhjen e të Lartit Zot
e mos i jep rëndësi fyerjes që ta bën i afërmi.

10 Ruaju grindjeve e do të mëkatosh më pak,

11 sepse njeriu të hidhur flakë i ndez grindjet,
njeriu mëkatar i turbullon miqtë
e mes njerëzve që janë në paqe shtie armiqësi.

12 Si të jetë druri e pyllit ashtu ndizet edhe zjarri,
sipas fuqisë së njeriut është edhe zemërimi i tij,
zemërimi i rritet sipas kamjes së tij.

13 Grindja e shpejtë ndez zjarrin,
grindja e shpejtë derdh gjak
e gjuha therëse sjell vdekjen.

14 Nëse i fryn shkëndijës, ndizet e bëhet zjarr,
nëse pështyn në të, ajo fiket:
të dyja dalin nga goja jote.

15 Qoftë mallkuar ngacmuesi e shpifësi:
shumë i humbën njerëzit që ishin në paqe!

16 Gjuha e tretë shumë i ka turbulluar
dhe i ka dëbuar prej një populli në tjetër.

17 Rrënoi qytete të pasurish të rrethuara me mure
dhe i rrafshoi shtëpitë e sundimtarëve.

18 Preu ushtritë e popujve,
shkatërroi kombe të forta.

19 Gjuha e tretë i dëboi gratë e burrave
e i la pa fryt të mundit të tyre.

20 Kush i vë vesh, nuk do të gjejë paqe
as nuk do të gjejë mik, tek i cili të pushojë.

21 Goditja e frushkullit shkakton varrën,
goditja e gjuhës thyen eshtrat.

22 Shumë ranë prej tehut të shpatës,
por jo aq sa u humbën për shkak të gjuhës së vet.

23 Lum ai që di të ruhet prej saj,
që nuk ra në hidhërimin e saj,
që s’e sprovoi zgjedhën e saj
e që s’u lidh në prangat e saja.

24 Vërtet zgjedha e saj është zgjedhë hekuri
dhe prangat e saja janë pranga bronzi;

25 e tmerrshme është vdekja që ajo sjell,
më e dobishme Nëntoka se ajo.

26 Por ajo s’ka pushtet mbi njerëzit e drejtë
dhe s’do të digjen në flakën e saj.

27 Në thonj të saj bien ata që e lënë Hyjin,
në ta do të ndizet flakë e do të djegë,
kundër tyre do të sulet porsi luani,
do t’i lëndojë porsi leopardi.

28 Thuri me ferra veshët e tu,
mos e dëgjo gjuhën e mbrapshtë,
gojës sate vëri derë e shula.

29 Arin tënd e argjendin tënd vulose mirë,
pesho mirë fjalët e tua
dhe vëri gojës sate frerë të drejtë.

30 Kujdes të mos biesh për shkak të gjuhës,
të mos rrëzohesh ndër sy të armiqve që vënë prita
e të jetë rënia jote e pashërueshme, për vdekje.



Fjala e Zotit