1 Kush e druan Zotin nuk e gjen asnjë e keqe
dhe Hyji e shpëton nga prova
dhe e çliron nga të këqijat.
2 I urti nuk i përbuz urdhërimet as drejtësinë
e nuk përplaset si anija në stuhi.
3 Njeriu i mençur i beson fjalës së Hyjit
dhe i beson Ligjit porsi profecisë.
4 Bëje gati fjalimin e do të dëgjohesh,
përmblidhe dijen tënde e atëherë përgjigju.
5 Ndjenjat e të marrit porsi rrota e qerres,
arsyetimi i tij si boshti që sillet.
6 Kalë i patredhur është miku përqeshës:
hingëllon kushdo t’i kërcejë në shpinë.
7 Pse një ditë është më e shquar se tjetra
në qoftë se gjatë vitit i ndriçon drita e diellit?
8 Dija e Zotit i ka veçuar disa
9 dhe i ka ndarë stinët e vitit e festat.
10 Disa Hyji i ka lartësuar e madhëruar
e të tjerat i ka renditur në ditë të thjeshta.
Të gjithë njerëzit janë prej dheut,
edhe Adami qe krijuar prej dheut.
11 Por Zoti i ka dalluar në dijen e vet të pakufi,
u ka caktuar fate të ndryshme:
12 disa prej tyre i bekoi e i lartësoi,
disa i shenjtëroi dhe i veçoi për vete,
disa të tjerë i mallkoi dhe i mposhti
dhe i dëboi nga vendi i tyre.
13 Siç është balta në duart e vorbëtarit
të cilës i jep trajtën sipas vullnetit të vet,
14 ashtu është edhe njeriu në dorën e Krijuesit:
bën me të sipas mendimit të vet.
15 Përballë të keqes qëndron e mira
e përballë vdekjes është jeta
kështu edhe përballë njeriut të drejtë mëkatari.
Kështu shikoj edhe të gjitha veprat e Zotit:
të gjitha dy e dy
njëra përballë tjetrës.
16 Unë u zgjova ndër të fundit
dhe jam si ai që mbledh kokrra pas vjelësve,
17 por ia dola, me bekimin e Hyjit,
dhe e mbusha shtrydhësin barazi si vjelësit.
18 Vëni re se s’u mundova vetëm për vete,
por për të gjithë ata që e kërkojnë mësimin.
19 Deh, më dëgjoni, o sunduesit e popullit,
vëni vesh, o drejtuesit e bashkësisë!
20 Sa të jesh gjallë mos i jep pushtet mbi vete
as djalit as gruas, as vëllait as mikut;
as mos e jep pasurinë tënde
që të mos pendohesh e ta kërkosh të kthehet mbrapsht.
21 Deri sa të jesh gjallë e të marrësh frymë,
mos i jep askujt pushtet mbi vetvete:
22 është më mirë që fëmijët të luten ty
se ti t’u shtrish dorën fëmijëve të tu.
23 Në të gjitha veprat e tua ji zot i vetes
24 e mos lejo të njolloset me asnjë njollë nderi yt.
Kur të jenë duke marrë fund ditët e jetës sate,
ditën e vdekjes sate ndaje trashëgimin tënd.
25 Tagji, dajak e barrë për gomarin,
bukë, shtrëngim e punë për skllavin.
26 Fute shërbëtorin në punë e ti pusho;
pushoja krahët atij e do të kërkojë lirinë.
27 Zgjedha e freri e ulin qafën,
kurse skllavin e përvë puna e vazhdueshme.
28 Skllavit të padëgjueshëm dru e pranga,
çoje në punë e të mos dembeloset:
29 shumë mbrapshti i mësoi përtacia.
30 Fute në punë, sepse kështu atij i ka hije,
nëse nuk dëgjon, shtroje në pranga,
por pa tepruar kundër askujt
dhe mos bëj asgjë padrejtësisht.
31 S’ke por një skllav? Le të jetë si një tjetër ti,
sepse do të kesh nevojë për të si për vete.
S’ke veç një skllav? Sillu me të si me vëllanë,
e mos u hidhëro në gjakun tënd.
32 Nëse e lëndon pa të drejtë,
e bën të marrë ikjen
33 e, nëse ngrihet e ikën,
s’do të dish cilës udhë të shkosh për ta kërkuar.