1 Kush e mban Ligjin, i shumëzon kushtet:
2 fli shpëtimprurëse është zbatimi i urdhërimeve.
3
4 Kush është mirënjohës, kushton enzën e miellit,
kush bën lëmoshë, kushton flinë e falënderimit.
5 Sendi që i pëlqen Zotit është ikja nga e keqja
e lutje për faljen e mëkateve është ikja nga padrejtësia.
6 Mos dil para Zotit me duar thatë:
7 kjo kërkohet prej urdhërimeve të Hyjit.
8 Kushti i të drejtit e pasuron lterin
dhe era e këndshme e tij arrin para të Tejetlartit.
9 E pëlqyeshme është flia e njeriut të drejtë,
kujtimin e saj nuk do ta harrojë Zoti.
10 Me zemër të gëzueshme jepi lavdi Hyjit,
e mos i zvogëlo frytet e para që kushton.
11 Në kushtim të dhuratave le të shndritë fytyra prej gëzimit
dhe plot galdim kushtoji të dhjetat e tua.
12 Dhuroji të Tejetlartit siç të ka dhuruar Ai ty
dhe bëje me sy të mirë sipas kamjes sate,
13 sepse Zoti s’lë pa shpërblyer,
madje shtatëfish aq Ai do të të kthejë.
14 Mos u mundo ta thyesh me dhurata,
sepse nuk do t’i pranojë kurrsesi;
15 as mos shpreso nga flia e padrejtë,
sepse Zoti është gjykatës
e krahmbajtje tek Ai nuk ka.
16 Nuk ia mban kujt krahun në dëm të skamnorit
dhe e dëgjon lutjen e të nënpërkëmburit.
17 Nuk e përbuz lutjen e bonjakut
as të vejushës, kur zbraz mjerimin e vet.
18 Vallë, a s’zbresin lotët e vejushës nëpër faqe,
a nuk bie britma e saj mbi atë që i shkaktoi?
19 Prej mollëzës ngjiten deri në qiell
dhe Zoti shpagues nuk kënaqet në to.
20 Kush e adhuron Zotin, do të pranohet me kënaqje,
dhe lutja e tij do të arrijë deri në re.
21 Lutja e të përvuajturit i përshkon retë
dhe, nuk do të ndalet deri sa të arrijë,
nuk do të zbresë deri sa t’i dalë para të Tejetlartit,
atëherë Gjykatësi i drejtë do të bëjë drejtësi.
22 Zoti nuk do të vonojë
dhe i Gjithpushtetshmi nuk do ketë duresë
deri sa ta ketë shtypur shpinën e të dhunshmëve,
23 t’u hakmerret paganëve,
deri sa ta ketë zhdukur shumicën e krenarëve,
deri sa t’i ketë dërrmuar skeptrat e tiranëve;
24 deri sa t’i shpaguajë njerëzit sipas veprave të tyre,
veprat e njerëzve sipas qëllimeve të tyre,
25 deri sa t’i ketë dhënë drejtësi popullit të vet
dhe ta gëzojë me mëshirën e vet.
26 E mrekullueshme është mëshira në ditën e vështirësisë
porsi reja plot shi në kohën e të thatit.