< Sir 38 Sir 40 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 39)
39

1 Ndërsa ai që me shpirt i kushtohet frikës së Hyjit,
që përsiat në Ligjin e të Tejetlartit,
shqyrton urtinë e të gjithë të vjetërve
dhe i kushtohet hulumtimit të profecive,

2 i mban mend thëniet e njerëzve të përmendur
dhe depërton në hollësitë e shëmbëlltyrave.

3 Kërkon vështrimin e fshehtë të fjalëve të urta
dhe thellohet në fshetësitë e shëmbëlltyrave.

4 Shërben mes njerëzve të mëdhenj
dhe merr pjesë në mbledhje të princave.

5 Udhëton në viset e popujve të huaj
dhe fiton përvojën e të mirave e të këqijave mes njerëzve.

6 Ai ia kushton zemrën e vet herët, që në agim,
Zotit që e ka krijuar
dhe lutet para të Tejetlartit.

7 E hap gojën e vet në lutje
e lutet për faljen e gabimeve të veta.

8 Nëse do të jetë vullneti i të Madhit Zot
do të mbushet me shpirtin e kuptimit.

9 Si shi i lëshon fjalët e urtisë së vet
e me lutje e lavdëron Zotin.

10 Zoti e drejton këshillin dhe urtinë e tij,
kurse ai përsiat fshehtësitë e Zotit.

11 Ai e sqaron mësimin që i ka qenë dhuruar
dhe mburrjen e vet e ka në Ligjin e Besëlidhjes së Zotit.

12 Shumë do ta lavdërojnë urtinë e tij
dhe kurrë nuk do të harrohet.

13 Kujtimi i tij nuk do të bjerë në harresë
dhe emri i tij do të jetojë nga breznia në brezni.

14 Urtinë e tij do ta shpallin kombet
e lavdi i tij do të përmendet në bashkësi.

15 Nëse do të ketë jetë të gjatë,
do të lërë emër më të njohur se një mijë vetë,
nëse do të vdesë, do të ketë bërë mjaft për vetvete.

16 Dua ende t’i paraqes përsiatjet e mia
se jam plot si hëna të dymbëdhjetën ditë.

17 Mirë më dëgjoni, o bij të përshpirtshëm,
e do të lulëzoni si trëndafili përbri ujit që rrjedh.

18 Hapni erë të këndshme porsi kemi,

19 lulëzoni porsi lulja e zambakut!
Jepni zërit e këndoni himne,
bekojeni Zotin në të gjitha veprat e tija!

20 Jepini lavdi emrit të tij,
lavdërojeni në lavdinë e tij,
me këngë tuaja e me harpat tuaja,
kështu thoni në këngët e lavdërimit:

21 “Pa masë të mira të gjitha veprat e Zotit,
e gjithçka ka urdhëruar, do të ndodhin në kohë të vet”!
S’bën të pyetet: “Çfarë është kjo?” ose “Pse ajo?”,
sepse të gjitha do të shqyrtohen në kohë të vet.

22 Në fjalën e tij uji ndalet si turrë,
në një urdhër të gojës së tij bëhen pellgje me ujë,

23 sepse në urdhërimin e tij bëhet qetësi
dhe askush s’mund ta pengojë shpëtimin e tij.

24 Çdo veprim njerëzor është para syve të tij.
s’është e mundur të fshihet ndonjë gjë para tij.

25 Shikimi i tij nga një skaj në tjetrin
dhe asgjë s’është e jashtëzakonshme para syve të tij.

26 S’bën të pyetet: “Çfarë është kjo?”, ose “Pse ajo?”,
sepse gjithçka qe krijuar e ka qëllimin e vet.

27 Bekimi i tij vërshon porsi lumi

28 dhe e lag terikun porsi përmbytja.
Kështu kombet që nuk kërkojnë atë,
do t’i shpërndajë hidhërimi i tij,

29 sikurse i shndërroi ujërat në shkretëtirë të kriptë.
Udhët e tija janë të drejta për shenjtër,
e të papërshkueshme për mëkatarët.

30 Që prej fillimit të mirat janë krijuar për të mirë
për të këqij të mirat e të këqijat.

31 Gjërat e domosdoshme të parat për jetën e njeriut janë:
uji, zjarri e hekuri,
kripa, qumështi, buka e grurit e mjalti,
lëngu i hardhisë, vaji e petku:

32 të gjitha këto për të përshpirtshmit janë të mira,
por për të paudhët e mëkatarët bëhen të këqija.

33 Ka erëra që u krijuan për ndëshkim
dhe në furinë e vet u bënë frushkull ndëshkues,

34 në ditën e mbarimit do ta shtojë furinë
e do ta qetësojnë zemërimin e Krijuesit.

35 Zjarri, breshri, uria e vdekja:
të gjitha këto u krijuan për ndëshkim;

36 dhëmbët e egërsirave, gallomat e gjarpërinjtë,
shpata dytehshe shpaguese për zhdukjen e të paudhëve:

37 i gëzohen urdhrit të Zotit
dhe gati presin mbi sipërfaqen e dheut
dhe, kur të vijë dita, nuk do t’i kundërshtojnë urdhrit.

38 Për këtë gjë kam qenë i bindur që në fillim,
e kam rimenduar dhe e nxorra në shkrim:

39 “Veprat e Zotit të gjitha janë të mira,
dhe në çdo nevojë në kohën e duhur Zoti ndihmon”.

40 S’bën të thuhet: “Kjo është më e keqe se ajo”,
sepse gjithçka është e mirë në kohën e vet.

41 E tani këndoni himne me gjithë zemër e me plot gojë
dhe bekojeni Emrin e Zotit.



Fjala e Zotit