1
Fat i mjerë u qe krijuar të gjithë njerëzve,
zgjedhë e rëndë mbi bijtë e Adamit,
që ditën që lindin nga kraharori i nënës së tyre
deri ditën që kthehen në nënën e të gjithëve:
2 mendime shqetësuese e frikë e zemrës,
kujdesi se ç’do t’u ndodhë: ditën e mbarimit.
3 Nga ai që rri mbi ndenjëse lavdie
deri tek ai që rri në pluhur e në hi,
4 nga ai që mbart purpur e kurorë,
deri tek ai që e mbulon mishin me li të vrazhdë,
gjithçka është hidhërim, smirë, kryengritje e shqetësim,
frika e vdekjes, zemërim i vazhdueshëm e grindje.
5 Në kohën e pushimit në dhomë
gjumi i natës vetëm ia turbullon mendimet.
6 Pushon krejt pak, gati aspak,
e ai në gjumë, mundohet si ditën,
7 e trazojnë pamjet e zemrës së shqetësuar
si të atij që porsa iku nga lufta,
gjatë pushimit të domosdoshëm zgjohet
krejtësisht i habitur prej frikës së kotë.
8 Është fat i çdo gjallese, prej njeriut e në kafshë,
kurse për mëkatarë shtatëfish më shumë:
9 përveç këtyre edhe vdekja, gjaku, grindja, shpata,
ndrydhja, uria, sëmundja e frushkujt.
10 Këto të këqija kanë qenë krijuar për të paudhë,
e për shkak të tyre qe bërë përmbytja.
11 Gjithçka është nga dheu, në dhe do të kthehet,
gjithçka është nga uji, në det do të kthehet.
12 Çdo dhuratë prishëse dhe çdo padrejtësi do të zhbëhet,
kurse besnikëria do të qëndrojë për amshim.
13 Pasuria e të padrejtëve do të thahet si përroi,
do të zhduket porsi gjëma e madhe në shi.
14 Kur e hap dorën e vet gëzohet,
kështu mëkatarët plandosen në rrënimin e vet.
15 Nipat e të paudhëve s’do t’i shtrijnë gemat,
rrënjët e papastra mbi rrasë të gjallë.
16 Blerimi që rritet rrjedhave të ujit e bri lumit,
kositet më i pari.
17 Mirësia është si kopshti i bekimeve
e veprat e dashurisë qëndrojnë për amshim.
18 Njeriu që s’kërkon tepër e punëtori kalojnë jetë të ëmbël,
por edhe më mirë ai që gjen ndonjë visar.
19 Djemtë dhe themelimi i qytetit e sigurojnë emrin,
por edhe më tepër do të nderohet gruaja e patëmetë.
20 Vera e muzika zemrën e gëzojnë,
por edhe më tepër dashuria ndaj urtisë.
21 Fyelli e harpa e bëjnë të këndshme këngën,
por edhe më tepër se ato zëri i ëmbël.
22 Syri kënaqet në hirësi e bukuri,
por edhe më tepër se në këto në blerimin e fushave.
23 Shoku dhe miku takohen në kohë të duhur,
por mbi të dy gruaja e burri.
24 Vëllezërit dhe ndihma janë të mira në ditë të vështirë,
por më tepër se këta shpëton lëmosha.
25 Ari e argjendi e bëjnë të sigurt hapin,
por më i mirë se të dy është këshilla e mirë.
26 Pasuria e pushteti i japin fuqi zemrës,
por më tepër se të dyja frika e Zotit.
27 Nuk mungon gjë në frikën e Zotit
e s’duhet të kërkohet përmbi të ndihmë.
28 Frika e Zotit është si kopshti i bekimeve,
mbrojtja e saj është më e fortë se çdo lavdi.
29 Bir, gjatë jetës sate mos u bëj nevoja e gjithkujt,
sepse është më e mirë vdekja se të jesh nevoja e gjithkujt.
30 Jeta e njeriut që shikon në tryezën e huaj,
nuk mund të quhet jetë.
Bëhet i papastër me ushqime të huaja:
31 njeriu i edukuar e i ditur e ruan vetveten.
32 Në gojën e atij që s’ka turp
fjalët e lypësisë dalin të ëmbla,
por në barkun e tij zjarri ndizet flakë.