< Sir 40 Sir 42 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 41)
41

1 O vdekje, sa i hidhur është mendimi mbi ty
për njeriun që jeton i lumtur
mes pasurisë së vet,

2 për njeriun e paqë,
që gjithçka i shkon për së mbari
dhe ende ka fuqi t’i shijojë të mirat!

3 O vdekje, vendimi yt është i mirëseardhur
për nevojtarin e për njeriun e mbetur,

4 për plakun e shkrirë që do gjithçka të dijë,
që e humbi shpresën, që e humbi duresën!

5 Mos e druaj ligjin e vdekjes!
Kujtoj ata që qenë para teje
edhe ata që do të vijnë pas teje:
Ky është ligji e Zotit për çdo gjallesë

6 e pse t’i kundërshtosh vullnetit të Tejetlartit?
Si dhjetë vjet si njëqind si një mijë,

7 në Nëntokë nuk do të të padisë kush për gjatësinë e jetës.

8 Fëmijët e mëkatarëve bëhën fëmijë të urrejtshëm
edhe ata që banojnë në banesat e të paudhëve.

9 Trashëgimi i fëmijëve të mëkatarëve humbet,
farën e tyre e përcjell urrejtja e vazhdueshme.

10 Babain e pashpirt e nëmin të bijtë,
sepse për shkak të tij ata janë të urryer.

11 Të mjerët ju, o njerëz keqbërës,
që e latë Ligjin e Zotit të Tejetlartë!

12 Nëse lindni, lindni për mallkim,
e kur vdisni, mallkimi do të jetë trashëgimi juaj.

13 Gjithçka është prej dheut, në dhe do të kthehet,
kështu të paudhët – nga mallkimi në shkatërrim.

14 Zia e njerëzve është për kufomat e tyre,
emri i të paudhëve që s’është i mirë, do të fshihet.

15 Kujdesu për emër të mirë, sepse ai qëndron më shumë
se një mijë visare të paçmueshme e të mëdha:

16 jeta në mirëqenie zgjat për një kohë të caktuar,
kurse emri i mirë qëndron për amshim.

17 Më i mirë është njeriu që e fsheh marrinë e vet
se ai që e fsheh urtinë e vet.
E njëmend, urtia e fshehur e visari i papashëm,
ç’dobi prej të dyve?

18 Bijtë e mi, ruajeni mësimin në paqe,

19 le t’ju vijë turp për këto që po ju them:

20 sepse nuk është mirë të skuqesh për çdo turp,
nuk është, në të vërtetë, çdo marre turp.

21 T’ju vijë turp para babait e nënës për fëlligështi,
para prijësit e pushtetarit për gënjeshtarit,

22 para prijësit e gjykatësit për krim,
para bashkësisë e popullit për paudhësi,

23 para shokut e mikut për padrejtësi,
para vendësve ku banon

24 për vjedhje,
para së vërtetës së Hyjit e besëlidhjes,
për vënie të bërrylave mbi tryezë,
kur merr ose dhuron me përbuzje

25 kur s’përgjigjet në përshëndetje,
t’i ngulësh sytë mbi gruan e pandershme,
t’i sjellësh shpinën ndonjërit të farefisit,

26 t’i marrësh dikujt diçka e të mos ia kthesh,

27 t’i lëvyresh gruas së martuar,

të jesh i lirë me shërbëtoren e saj,
- mos iu afro shtratit të saj;

28

të vijë turp për fjalë poshtëruese para miqve
- mos fyej pasi të kesh dhënë.



Fjala e Zotit