< Sir 6 Sir 8 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 7)
7

1 Mos e bëj të keqen
dhe e keqja s’do të të gjejë,

2 hiqu paudhësisë dhe ajo do të rrijë larg teje.

3 Bir, mos mbill në hulli të padrejtësisë,
që të mos korrësh shtatëfish.

4 Mos ia kërko Zotit udhëheqësinë
as prej mbretit ndenjësen e nderit.

5 Mos u mundo të dëftohesh i drejtë para Zotit,
sepse ai i njeh mirë zemrat;
as para mbretit mos u mundo të dukesh i mençur.

6 Mos kërko të bëhesh gjykatës
po qe se s’ke fuqi ta zhdukësh padrejtësinë
që rastësisht të mos e kesh frikë ndonjë pushtetmadh
e ta vësh në rrezik drejtësinë tënde.

7 Mos gabo kundër bashkësisë së qytetit
e mos e bëj veten asgjë para popullit.

8 Mos e bëj dy herë një mëkat,
sepse as për të parën herë s’do të mbetesh i pandëshkuar.

9 Mos ji në lutje i paguximshëm,

10 të lutesh e të bësh lëmoshë mos përto.

11 Mos thuaj: “Hyji do të shikojë mbi dhuratat e mia të shumta
e, kur t’i kushtoj Hyjit të tejetlartë, ai do t’i pranojë.”

12 Mos e përqesh njeriun që është i trishtuar në shpirt,
sepse është ai që përul e lartëson,
Hyji që sheh rreth e rrotull.

13 Mos trillo gënjeshtër kundër vëllait tënd
as mikut mos i bëj po ashtu.

14 Në asnjë mënyrë mos e përdor gënjeshtrën,
sepse përsëritja e saj nuk është e mirë.

15 Mos ji fjalëshumtë në mbledhjen e pleqve
dhe mos i përsërit fjalët në lutjen tënde.

16 Mos i përbuz punët e rënda
as bujqësinë e krijuar prej të Tejetlartit.

17 Mos u numëro në shumicën e mëkatarëve

18 dhe le të bjerë ndër mend hidhërimi që s’do të vonojë.

19 Përule shumë shpritin tënd,
sepse zjarri e krimbat janë shpagimi i të paudhit.

20 Mos e ndërro mikun për para,
as vëllanë e dashur me ar Ofiri.

21 Mos u largo nga gruaja e mençur dhe e mirë
që e ke pasur fat në frikën e Zotit:
sepse mirësia e saj vlen më shumë se ari.

22 Mos e merr me të keq skllavin që punon besnikërisht
as mëditësin që jepet gjithsa mundet.

23 Duaje shërbëtorin e arsyeshëm porsi vetveten;
mos ia moho lirinë
as mos e nis duarthatë.

24 Ke bagëti? Kiji kujdes
e, nëse i ke për dobi, ruaji!

25 A ke fëmijë? Jepu mësim
e, që prej rinisë, mësoji ta ulin zverkun.

26 A ke vajza? Ruaje trupin e tyre
dhe mos u trego me to për së tepërmi fytyrëbutë.

27 Martoje vajzën e ke kryer punë të madhe
dhe jepja burrit të arsyeshëm.

28 Nëse e ke gruan sipas zemrës sate,
mos e lësho;

por, nëse s’e do, mos i beso.
@@@
Me gjithë shpirt

29 duaje babain tënd
dhe mos i harro ofshamet e nënës sate.

30 Mos harro se s’do të kishe qenë pa ta,
e çka do t’u japësh siç të dhanë ata?

31 Me gjithë shpirt druaje Zotin
dhe nderoji priftërinjtë e tij.

32 Me gjithë fuqi duaje atë që të krijoi
dhe mos i braktis shërbëtorët e tij.

33 Me gjithë shpirt nderoje Hyjin
e nderoji edhe priftërinjtë.

34 Jepu pjesën që u takon si të ka qenë urdhëruar:
frytet e para, të shpagimit, flitë e pakujdesisë,

35 shpatullën si kusht,
flinë e shenjtërimit e frytet e para të flive të shenjta.

36 Ngjitja dorën edhe të vobektit
që të përkryhet përkrahja jote e bekimi.

37 Ji dorëdhënë me të gjithë të gjallët,
por as të vdekurit mos ia moho hirin.

38 Mos pusho t’i ngushëllosh ata që qajnë
dhe qaj me ata që qajnë.

39 Mos përto të shkosh t’i shohësh të sëmurit,
sepse prej tyre do të jesh i dashur.

40 Në çdo vepër tënde mendoje mbarimin tënd
dhe kurrë s’do të bësh mëkate.



Fjala e Zotit