< Sir 7 Sir 9 >
Lexim prej librit të Siracidit(Sir 8)
8

1 Mos u grind me pushtetarin
që rastësisht të mos biesh në duar të tija.

2 Mos u grind me njeri të pasur,
që rastësisht të mos e vërë kundër teje peshën tënde:

3 sepse shumëkënd e ka humbur ari,
paraja e prish edhe zemrën e mbretërve.

4 Mos u grind me njeri gjuhëgjatë
dhe mos shto dru në zjarrin e tij.

5 Mos bëj llafe me njeri të trashë
që të mos përbuzen të parët e tu.

6 Mos e përbuz njeriun që u kthye nga mëkati
as mos e shaj:
mos harro se të gjithë jemi fajtorë.

7 Mos e përbuz njeriun në pleqërinë e tij,
sepse edhe prej nesh do të jenë nga ata që plaken.

8 Mos u gëzo për vdekjen e armikut tënd:
mos harro se të gjithë do të vdesim
e s’dëshirojmë që ndokush t’i gëzohet vdekjes sonë.

9 Mos i përbuz fjalët e pleqve të urtë,
por përsiati fjalët e urta të tyre,

10 sepse prej tyre do të mësosh urtinë e hollësinë mendore
për t’u shërbyer aftësisht të mëdhenjve.

11 Të mos të shkojnë hupës bisedat e pleqve,
sepse ata i mësuan prej të parëve të vet;

12 sepse prej tyre do të mësosh mprehtësinë e mendjes
dhe dhënien e përgjigjeve në kohën e duhur.

13 Mos u fryj gacave të mëkatarëve
që të mos digjesh në flakën e zjarrit të mëkateve të tyre.

14 Mos u kap ballë për ballë me njeriun fyes
që të mos vërë lak me fjalët e tua.

15 Mos i huazo njeriut më të fortë se ti;
nëse i huazon gjë, mbaje si ta kesh humbur.

16 Mos hyr dorëzanë mbi mundësitë e tua;
nëse hyn dorëzanë, mbaje veten për kthyes.

17 Mos u grind me gjykatës,
sepse do të gjykojë sipas pëlqimit të vet.

18 Mos bëj rrugë me njeriun që s’e peshon rrezikun
që të mos i shtosh të vështirat e tua:
sepse ai vepron sipas hamendjes së vet
dhe do të sharrosh bashkë me marrinë e tij.

19 Me njeriun frymës ruaj se grindesh
as mos shko me të në vend të pabanuar,
sepse për të tillin s’do të thotë asgjë të derdhë gjak
e, ku s’ka kush të ndihmojë, të vret.

20 Me të marrët mos u këshillo,
sepse ata s’do të mund ta ruajnë fshehtësinë tënde.

21 Para të huajit mos bëj asgjë që duhet të mbetet e fshehtë,
sepse nuk di se çka mund të ndodhë.

22 Mos ia zbulo gjithkujt zemrën tënde
që rastësisht të mos ia humbasësh vetes të mirën.



Fjala e Zotit