1
Pasi hëngrën e pinë, shkuan të flejnë. Djalin e përcollën dhe e shtinë në dhomën e martesës.
2 Tobia nuk i kishte harruar fjalët e Rafaelit: mori nga thesi i vet zemrën e mëlçinë e peshkut dhe i vuri mbi prush të kemit.
3 Era e peshkut e dëboi djallin, i cili iku në krahinat e sipërme të Egjiptit. Shkoi edhe Rafaeli, e lidhi atë atje dhe menjëherë u kthye.
4 Ata dolën dhe e mbyllën derën e dhomës. Atëherë Tobia u ngrit nga shtrati e i tha: “Ngritu, motër! T’i lutemi e t’i përlutemi Zotit tonë që të ketë dhimbje për ne e të na shërojë.”
5 U çuan e ia nisën të luten e të përluten që Zoti t’i ruante shëndosh e mirë. Ia filluan kështu:
“ I bekuar je, Hyji i etërve tanë,
dhe i bekuar është Emri yt
në shekuj të shekujve!
Le të bekojnë qiejt
dhe të gjitha krijesat e tua
në të gjithë shekujt!
6 Ti e krijove Adamin
dhe ia çove ndihmë e mbështetje Evën
e prej këtyre të dyve lindi gjinia njerëzore.
Ti the: ‘S’është mirë që njeriu të jetë vetë,
T’ia bëjmë një ndihmëse të ngjashme si ai.’
7 E tani o Zot, jo dëshira e paligjshme
s’më shtyt ta marr për grua këtë motër,
por e bëj me qëllim të ndershëm.
Ki mëshirë për mua e për të
e bëj t’ia arrimë së bashku pleqërisë!”
8 E brohoritën së bashku: “Amen, amen!”
9 Dhe fjetën gjithë natën.
Ndërkaq Ragueli u çua natën, i thirri shërbëtorët e vet, shkuan së bashku dhe e hapën një gropë.
10
Mendonte me vete: “Mund të vdesë e kështu bëhemi rast përqeshjeje e turpërimi.”
11 Pasi e çelën gropën e varrit, Ragueli u kthye në shtëpi dhe e thirri të shoqen
12 e i tha: “Dërgoje një shërbëtore e të hyjë brenda të shohë a është gjallë, e, në qoftë se ka vdekur, të shkojmë e ta varrosim pa ditur askush.”
13 E dërguan shërbëtoren, e ndezën dritën, e hapën derën. Shërbëtorja hyri brenda dhe, ja, të dy flinin së bashku në shtrojë!
14 Shërbëtorja u kthye dhe u lajmëroi se djaloshi ishte gjallë dhe s’kishte ndodhur asnjë e keqe.
15 Atëherë e bekuan Hyjin e qiellit e thanë:
“ I bekuar je, o Hyj,
me të gjitha bekimet e shenjta e të pastërta
të bekofshin të gjithë shenjtërit e tu
dhe të gjitha krijesat e tua!
Të gjithë engjëjt e tu e të gjithë të zgjedhurit e tu
le të bekojnë në shekuj të shekujve!
16 I bekuar je pse më ngushëllove
e nuk më ndodhi si ia kisha frikën,
por u solle me ne
me dashurinë tënde të pamasë!
17 I bekuar je pse pate mëshirë
për këta dy bij të vetëm!
Jepu, o Zot, hir e shëndet
që ta kalojnë jetën në dashuri e hir!”
18 Atëherë u urdhëroi shërbëtorëve të vet ta mbyllin gropën para se të zbardhë drita.
19 Pastaj i urdhëroi gruas të gatuajë sa më shumë bukë e vetë shkoi në vathë, mori dy mëzetër e katër desh, urdhëroi të theren dhe nisën ta bëjnë gati gostinë.
20 Atëherë e thirri Tobinë dhe iu përbetua: “Për katërmbëdhjetë ditë s’do të largohesh këndej, por do të qëndrosh këtu duke ngrënë e duke pirë me mua, sepse dua t’i kënaqet zemra bijës sime që aq shumë dhimbje ka sprovuar.
21 Atëherë merr gjysmën e të gjithë pasurisë sime dhe kthehu shëndosh e mirë te baba yt. Pjesën tjetër do ta merrni pasi të kemi vdekur unë dhe gruaja ime. Zemër, biri im! Unë jam babai yt e Edna është nëna jote! Të tutë jemi e të motrës sate Tani e përgjithmonë! Zemër, biri im!”