1 Ajo bëri të ecë mbarë çdo ndërmarrje e tyre
me anë të një profeti të shenjtë.
2 Udhëtuan nëpër shkretëtirë të pabanuar,
ngulën çadrat e tyre në vende të papërshkueshme.
3 U bënë ballë kundërshtarëve të vet
dhe u hakmorën kundër armiqve të vet.
4 Kur patën etje, t’u lutën
dhe u qe dhuruar uji nga qeta tejet e lartë
dhe ua shove etjen nga shkëmbi i fortë.
5 Kështu ajo që për armiq ishte ndëshkim,
në nevojën e tyre u kthye për ta në mirësi.
6 Në vend të rrjedhës së një lumi të përhershëm,
të kthyer në gjak të qelbët,
7 si ndëshkim të një urdhri fëmijëvrasësish,
u dhe papritmas ujë të begatshëm,
8 duke dëftuar me anë të etjes së atëhershme
se si i kishe ndëshkuar kundërshtarët e tyre.
9 Sepse, të vënë në sprovë,
megjithëse të ndëshkuar me mëshirë,
kuptuan se ç’vuajtje kishin sprovuar keqbërësit
të ndëshkuar me zemërim.
10 Këta vetëm, sikur babai që qorton, i vure në provë,
ndërsa ata porsi mbreti i rreptë,
i dënove me vuajtje dhe i gjykove.
11 Sepse, si larg si afër vuanin;
12 dhe trishim i dyfishtë i pushtonte
dënesnin kur kujtonin të kaluarën.
13 Kur dëgjuan se çka ishte vuajtje për ta
që dilte për të mirën e izraelitëve
e hetuan dorën e Zotit.
14 E njëmend atij që e kishin braktisur dikur
dhe e kishin përbuzur me përqeshje,
kur panë si shkoi fundi, iu mrekullonin,
pasi sprovuan një etje krejt të ndryshme
nga ajo e të drejtëve.
15 Ti, për mendimet e çmendura të paudhësisë së tyre
që i bënë të gabojnë dhe adhuruan
gjarpërinj të pamend e kafshë më se të pavlera,
për ndëshkim u dërgove një shumicë kafshësh memece,
16 që ta dinë se kush me çka mëkaton,
me të edhe do të ndëshkohet.
17 Me siguri nuk ishte e pamundshme
për dorën tënde të gjithpushtetshme
18 ose edhe kafshë të egra të panjohura,
ndërgut të krijuara, plot zemërim,
që prej hundëve u buçet flaka
ose lëshojnë tym qelbësues
ose nga sytë përhapin shkëndija të tmerrshme,
19 të afta jo vetëm që duke i ngrënë t’i zhduknin,
por edhe vetëm pamja prej frikës do t’i mbytte.
20 Por edhe pa të gjitha këto
mund të sharronin vetëm me një frymë,
të ndëshkuar prej drejtësisë sate
të flakur nga fryma e fuqisë sate.
Por ti rregullove gjithçka
me masë, numër e peshë.
21 E pasi fuqinë tënde të madhe e ke
gjithmonë në shërbim,
fuqisë së krahut tënd kush mund t’i bëjë ballë?
22 Mbarë bota para teje është porsi pak pluhur në peshore
dhe porsi një pikë vese agimi që bie në tokë.
23 Por ti ke dhimbje për gjithçka
pse gjithçka mundesh,
ti bën sikur s’i sheh mëkatet e njerëzve
që ata të pendohen.
24 Vërtet, ti do gjithçka është
dhe s’urren asgjë që ke krijuar:
sepse, po ta kishe urryer ndonjë gjë,
nuk e kishe krijuar.
25 E si do të mbetet në jetë ndonjë gjë,
po të mos doje ti?
Ose, si do ta ruante jetën,
po të mos e kishe thirrur ti në jetë?
26 Por ti i kursen të gjitha, sepse janë të tuat,
o Zot jetëdashës,