1 Një tjetër, pastaj, përgatitet për të lundruar
me qëllim që t’i përballojë valët e tërbuara,
i lutet një druri më të ligshtë se druri që e mbart.
2 Atë e sajoi dëshira e fitimit
dhe e punoi dija e mjeshtrit,
3 por atë e drejton Provania jote, o Atë,
që ke dhuruar udhën nëpër det,
shteg të sigurt edhe nëpër valë,
4 duke dëftuar se mund ta shpëtosh nga çdo rrezik
edhe nëse pa mjeshtri të duhur ndokush hyn në det.
5 Sepse ti do që veprat e urtisë sate të mos jenë të pafryt,
këndej njerëzit edhe drurit më të pavlershëm
ia besojnë jetën e vet
e, duke kaluar përmbi valë me lundër,
ia dalin të shpëtojnë.
6 Po, dhe dikur, kur u mbytën viganë krenarë,
shpresa e njerëzimit, e strehuar në një barkë,
ia la kësaj bote farën e breznive të reja,
për hir të dorës sate që e drejtoi.
7 Vërtet është i bekuar druri,
me anë të të cilit vjen drejtësia,
8 por qoftë mallkuar idhulli, i bërë nga dora e njeriut:
ai dhe mjeshtri që e punoi:
mjeshtri pse e punoi
dhe idhulli që, i rrejshëm, quhet zot!
9 Vërtet Hyji i ka bezdi
keqbërësin dhe frytin e paudhërisë së tij:
10 vepra dhe mjeshtri barabartë do të ndëshkohen.
11 Kështu, do të ndëshkohen edhe idhujt e paganëve,
sepse u bënë, mes krijesash të Hyjit, turpësi,
burim shkandulli për shpirtrat e njerëzve
e kurth për këmbët e të pamendve.
12 Shpikja e idhujve ka qenë fillimi i fëlligështisë
dhe zbulimi i tyre solli prishjen e jetës.
13 Nuk kanë qenë në fillim
as nuk do të jenë përgjithmonë.
14 Erdhën në botë prej kotësisë njerëzore,
Prandaj edhe zhdukjen e kanë të caktuar.
15 Një babë, i përvëluar nga dhimbja e vdekjes
së djalit, të rrëmbyer para kohe,
ia punoi figurën,
dhe atë, që tani ishte njeri i vdekur,
Tani filloi ta nderojë si hyj
dhe të nënshtruarve u urdhëroi
t’i kushtojnë mistere e fli.
16 Pastaj, gjatë kohës, zakoni i patenzonë,
erdhi e u bë ligj
dhe, me urdhër të sunduesve,
figurat e gdhendura filluan të nderohen.
17 Edhe ata që njerëzit s’mund t’i nderonin personalisht
sepse banonin larg,
për ta bërë të pranishme figurën e tyre,
e punuan fytyrën e mbretit që donin të të nderonin
që të papranishmin ta përkëdhelnin me zell
sikurse të ishte i pranishëm.
18 Të shtrihej nderimi edhe tek ata që nuk e njihnin,
ndihmoi edhe ambicia e vetë artistëve:
19 sepse, i shtyrë patjetër për t’i pëlqyer sunduesit,
bëri çmosin me mjeshtrinë e vet
që figura të dilte sa më e bukur,
20 kështu që njerëzit, e ngazellyer nga bukuria e veprës,
atë, që pak më parë nderohej vetëm si njeri,
tani filluan ta mbajnë për hyjni.
21 Kështu jeta njerëzore lejoi të zihet në kurth,
sepse njerëzit, fli të fatkeqësisë ose të tiranisë,
ia dhanë Emrin e Hyjit gurit e drurit.
22 Pastaj nuk u mjaftoi gabimi në njohjen e Hyjit,
por, duke jetuar në një luftë të madhe të padijes,
të këqijat kaq shumë e kaq të mëdha i quajnë paqe.
23 Sepse, ose flijojnë fëmijët ose kryejnë mistere të fshehta
ose gosti zdërhalljesh ritesh të huaja;
24 s’i ruajnë më të pastërta as jetën as martesën,
por njëri-tjetrin e vret me tradhti
ose e mundon duke shkelur kurorën.
25 Gjithçka u pështjellua:
gjak e vrasje, vjedhje e gënjim,
prishje, pabesënikëri, kryengritje e be të rreme,
26 trazim të të mirëve, paevari,
përdhunim shpirtrash, mëkate kundër natyrës,
shrregullim martese, kurvëri e fëlligështi.
27 Sepse idhujtaria është fillimi,
shkaku dhe fundi i çdo të keqeje.
28 Ose luajnë deri në çmendje duke u zderhallur
ose parakallëzojnë profeci të rreme
ose jetojnë me padrejtësi
ose lehtë përbetohen në gënjeshtër.
29 Pasi e vënë shpresën e vet në idhuj të vdekur,
s’presin dënim që janë përbetuar rrejshëm.
30 Por për të dyja do t’u takojë ndëshkimi:
pse, duke u shërbyer idhujve,
e shtrembëruan njohjen e Hyjit,
e pse u përbetuan shtrembët dijekeqas
duke përbuzur gjithçka është e shenjtë.
31 Sepse jo prej pushtetit të atyre që thirren në dëshmi,
por, prej ndëshkimit të ruajtur për mëkatarët,
që gjithherë e godit paudhësinë e të padrejtëve.
Izraeli nuk është idhujtar