< Ur 5 Ur 7 >
Lexim prej librit të Urtise(Ur 6)
6

1 Dëgjoni, pra, o mbretër,
e mundohuni të merrni vesh;
mësoni, o gjykatës të mbarë botës!

2 Prirni veshët, ju që u urdhëroni turmave
e që mburreni për shumicën e popujve tuaj!

3 Sepse është Zoti ai që jua dha pushtetin,
i Tejetlarti jua lëshoi në dorë sundimin:
Ai do t’i vlerësojë veprat tuaja,
Ai do t’i shqyrtojë mendimet tuaja!

4 Nëse, pra, si mbarështues të mbretërisë së tij,
nuk gjykoni drejt,
nuk e zbatoni ligjin
dhe nuk jetoni sipas vullnetit të Hyjit,

5 me tmerr e shpejt Ai do të sulet kundër jush!
Vërtet një gjyq tejet i rëndë ushtrohet kundër krerëve;

6 të voglit i bëhet mëshirë,
ndërsa të mëdhenjtë do të ndëshkohen ashpër.

7 Sepse Hyji Zotërues nuk tërhiqet para askujt,
as s’e druan madhërinë e askujt:
të voglin e të madhin ai i krijoi
dhe njëlloj kujdeset për të gjithë,

8 porse krerët i pret shqyrtimi i ashpër.

9 Juve, pra, o mbretër, ju drejtohen fjalët e mia,
që ta mësoni urtinë e të mos bini poshtë.

10 Kush shenjtërisht i ruan gjërat e shenjta,
shenjtërohet,
e ata që do t’i mësojnë këto gjëra,
do të gjejnë mbrojtje.

11 Prandaj kini dëshirë për fjalët e mia,
dëshironi ato e do të bëheni të ditur.

12 Urtia është ndritëse e kurrë nuk errësohet
dhe, ata që e duan, e shohin lehtë,
ajo gjendet prej atyre që e kërkojnë.

13 U del para atyre që e dëshirojnë
që të bëhet e njohur prej tyre.

14 Kush ngrihet heret për ta kërkuar
s’do të lodhet:
do ta gjejë ndenjur para derës së vet.

15 Sepse, edhe vetëm ta dëshirosh atë
është përsosje mençurie,
kush për atë rri zgjuar,
shpejt do të jetë i sigurt.

16 Ajo vetë endet andej-këndej për t’i kërkuar
ata që janë të denjë për të,
udhës u dëftohet me kënaqësi
e në të gjitha mendimet e tyre
vetë u vjen e para në takim.

17 Sepse synimi i saj është
dëshira e vërtetë për të nxënë,
e kujdesi për ta mësuar, është dashuri;

18 ta duash atë është
t’i ruash ligjet e saja,
është të sigurosh pavdekësinë,

19 pavdekësia të bën vend pranë Hyjit;

20 kështu, pra, dëshirimi i urtisë shpie në mbretëri.

21 Nëse, pra, o mbretër popujsh,
u gëzoheni froneve e skeptrave,
nderojeni urtinë
që të sundoni përgjithmonë!

22 Tani dua t’ju tregoj çka është urtia
dhe si lindi ajo;
s’do t’jua fsheh fshehtësitë e Hyjit.
Do t’i ndjek gjurmët e saja,
prej zanafillës dhe do ta nxjerr në dritë dijen e saj,
lak s’do t’i bëj të vërtetës.

23 S’do të bashkudhëtoj me smirën
shkatërruese,
sepse ajo s’ka asgjë të përbashkët me urtinë.

24 Shumë të urtë janë shpëtim për botën
e mbreti i urtë i sjell mirëqenie popullit.

25 Prandaj pranoni të mësoheni prej fjalëve të mia
e do të keni përfitim të madh.



Fjala e Zotit