1 Ndërkaq apostujt dhe vëllezërit në Jude morën vesh se edhe paganët e pranuan fjalën e Hyjit,
2 dhe, kur Pjetri u ngjit në Jerusalem, e sulmonin besimtarët e rrethprerë
3 dhe i thoshin: “Ke hyrë në shtëpi të të parrethprerëve dhe ke ngrënë me ta.”
4 Atëherë Pjetri filloi t’ua shpjegojë fill e për pe krejt ngjarjen.
5 “Isha ‑ tha ‑ në qytet të Jopës në lutje, kur, ja, në vegim, shoh një dukuri: një gjë, porsi një pëlhurë të madhe me katër këndet e lidhura që po zbriste nga qielli te unë.
6 Kur çova sytë dhe vërejta, pashë shtazë tokësore katërkëmbëshe, egërsira, zvarranikë dhe shpendë qielli.
7 Dëgjova edhe zërin që më tha: “Çohu, Pjetër, prej e ha!’
8 Unë thashë. ‘Kurrsesi, o Zot! Unë askurrë nuk kam shijuar me gojë kafshë të ndytë e të papastër.’
9 E zëri përsëri prej qielli, së dyti. ‘Çka Hyji pastroi, ti mos e shpall të papastër!’
10 Kjo u përsërit tri herë, e atëherë gjithçka u tërhoq përsëri në qiell.
11 Dhe ja, menjëherë erdhën tre njerëz para shtëpisë ku unë isha, të dërguar tek unë prej Cezaresë.
12 Shpirti Shenjt më tha të shkoj me ta pa farë mëdyshjeje. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e njeriut.
13 Ai na tregoi se si e kishte parë engjëllin në shtëpinë e vet, i cili kishte zënë vend para tij, e i kishte pasë thënë: ‘Dërgo në Jopë dhe thirre Simonin që quhet Pjetër
14 e ai do të kumtojë fjalët me anë të të cilave do të shëlbohesh ti dhe mbarë familja jote.’
15 Tashti, posa fillova të flas, zbriti mbi ta Shpirti Shenjt siç pati zbritur mbi ne në fillim.
16 Atëherë m’u kujtua fjala e Zotërisë: ‘Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.’
17 Nëse, pra, Hyji u dha atyre të njëjtën dhuratë sikurse neve kur e pranuam besimin në Jezu Krishtin Zot, kush isha unë për të penguar Hyjin?”
18 Këto fjalë i qetësuan dhe filluan të lavdërojnë Hyjin duke thënë. “Hyji, pra, edhe paganëve u dhuroi kthimin që shpie në jetë.”
Kisha në Antioki
19 Ndërkaq, ata që u shpërndanë për shkak të salvimit që u bë lidhur me Shtjefnin, arritën deri në Fenici, në Qipro e në Antioki. Këta nuk ua predikuan fjalën tjerëve përveç hebrenjve.
20 Por disa prej tyre, që ishin prej Qipros e prej Cirenës, kur erdhën në Antioki, filluan t’u predikojnë edhe grekëve e t’ju kumtojnë si Lajm të mirë: Jezusi është Zot.
21 Dora e Zotit u ndihmonte e shumë njerëz besuan dhe u kthyen kah Zoti.
22 Lajmi i këtyre ngjarjeve arriti në Kishën e Jerusalemit e kjo dërgoi Barnabën në Antioki.
23 Kur ai arriti dhe pa hirin e Hyjit, u gëzua dhe i nxiti të qëndrojnë me gjithë shpirt në Zotin.
24 Ky ishte njëmend njeri i mirë, plot me Shpirt Shenjt dhe me fe. Një numër i madh njerëzish iu shtua Zotit.
25 Atëherë Barnaba u drejtua për në Tars për të gjetur Saulin.
26 Kur e gjeti e çoi në Antioki. Plot një vit qëndruan në atë bashkësi duke mësuar një shumicë shumë të madhe nxënësish. Në Antioki nxënësit për të parën herë u quajtën “të krishterë.”
27 Në ato ditë disa profetë zbritën prej Jerusalemit në Antioki.
28 Njëri prej tyre që quhej Agab, u ngrit dhe, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, parakallëzoi që së shpjeti do të ndodhë në mbarë botën një uri e madhe. Kjo vërtet ngjau në kohën e sundimit të Klaudit.
29 Prandaj vendosën që, sa të mundet secili prej nxënësve të mbledhë për t’u çuar ndihmë vëllezërve në Jude.
30 Ashtu edhe bënë. Ndihmën ua dërguan udhëheqësve me anë të Barnabës e të Saulit.