1 Pasi u paqësua turbullimi, Pali i thirri nxënësit, u dha porositë, i përshëndeti dhe u nis për Maqedoni.
2 Pasi i përshkoi ato vende dhe i ngushëlloi me shumë fjalime vëllezërit, shkoi në Greqi.
3 Atje ndenji tre muaj. Pikërisht, kur mendoi të udhëtojë për Siri, hebrenjtë ia zunë pritën, por ai atëherë vendosi të kthejë nëpër Maqedoni.
4 E përcillnin Sopatri, biri i Pirrit, prej Berejës; Aristarku e Sekundi prej Selanikut; Gaji prej Derbit dhe Timoteu; Tihiku e Trofimi prej Azisë.
5 Këta shkuan para nesh e na pritën në Troadë.
6 Ne, si kaluan ditët e Bukëve të pabrumë, lundruam nga Filipet dhe, pas pesë ditësh arritëm te ta në Troadë. Atje kaluam shtatë ditë.
Pali i jep fund vizitës në Troadë
7 Ditën e parë të javës, kur u mblodhëm të ndajmë Bukën, Pali u predikoi vëllezërve e, pasi mendonte të udhëtojë të nesërmen, e zgjati bisedën deri në mesnatë.
8 Në dhomën e sipërme, ku ishim të bashkuar, kishim shumë llamba.
9 Një djalosh që quhej Eutih, ishte ulur në dritare. Pasi Pali predikoi gjatë, Eutihin e rrejti gjumi dhe fjeti. Ashtu në gjumë, i iku shtati e ra prej të tretit kat poshtë. E ngritën të vdekur.
10 Pali u ul poshtë, ra mbi të, e mori djaloshin para duarsh e tha: “Mos u shqetësoni! Nuk ka vdekur.”
11 Atëherë u ngjit lart e, pasi e ndau bukën dhe hëngri, vazhdoi të flasë edhe për një kohë të gjatë, deri në agim. Atëherë u nis.
12 Djaloshin e çuan në shtëpi shëndoshë me gëzim të të gjithëve.
Udhëtimi prej Troadës në Milet
13 Ne u nisëm me barkë përpara e shkuam në Ason, ku mendonim të marrim Palin: kështu e kishte caktuar ai vetë. Ai vendosi të vinte atje në këmbë.
14 Kur u bë me ne në Ason, e morëm e shkuam në Mitilenë.
15 Prej andej, të nesërmen u nisëm dhe arritëm afër Hijosit. Të pasnesërmen u nisëm për Sam e ditën e nesërme mbërritëm në Milet.
16 Pali kishte vendosur që të mos kthehemi në Efes për të mos humbur kohë në Azi. Ai ngutej, sepse dëshironte, nëse ishte e mundur, që për Rrëshajë të gjendej në Jerusalem.
Përshëndetja e Palit me të parët e kishës së Efesit në Milet
17 Nga Mileti Pali dërgoi në Efes e i thirri të parët e kishës.
18 Kur arritën, u tha:
“Ju e dini se si jam sjellë ndër ju për tërë kohën që prejditës së parë kur erdha në Azi;
19 i shërbeva Zotit me përvujtëri, me lot e me vështirësi, të cilat më gjetën për shkak të pritave të çifutëve.
20 Asgjë që ishte për të mirën tuaj nuk e lashë pa jua shpallur e pa jua mësuar botërisht e nëpër shtëpi;
21 i përbeva çifutët e grekët të kthehen kah Hyji e të besojnë në Jezusin, Zotin tonë.
22 Tani, ja, plotësisht i nënshtruar Shpirtit, po drejtohem për Jerusalem pa ditur se çka do të më gjejë në të,
23 përveç sa më siguron Shpirti Shenjt se në çdo qytet më presin prangat dhe vështirësitë.
24 Por, aspak nuk shqetësohem për jetën timë, kujdesem vetëm ta kryej udhën time dhe misionin që kam marrë prej Jezusit Zot: ta dëshmoj Ungjillin e hirit të Hyjit.
25 E tani, ja, mirë e di se fytyrën time më nuk do ta shohë asnjëri prej jush, ndër të cilët kalova duke predikuar Mbretërinë.
26 Për këtë arsye sot, në këtë ditë, po dëshmoj se nuk ju kam farë faji në qoftë se ju birreni,
27 sepse nuk lashë pa jua kumtuar asnjë gjë gjë lidhur me vullnetin e Hyjit.
28 Kini kujdes për vete e për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt ju vuri mbikëqyrës. Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e vet e fitoi për vete.
29 Unë e di se pasi të shkoj unë, mes jush do të hyjnë ujq grabitqarë, të cilët s’do ta kursejnë grigjën.
30 Po edhe mes jush do të ngrihen disa njerëz, të cilët do të shtrijnë mësime të rreme për të tërhequr pas vetes nxënësit.
31 Prandaj rrini zgjuar e mos harroni se për tri vjet, pa pushuar as natë as ditë, me lot për faqe, jam munduar ta mësoj secilin prej jush.
32 E tani po ju lë në dorë të Hyjit dhe të fjalës së hirit të tij, e cila është e aftë t’ju edukojë e t’ju japë trashëgimin ndër të gjithë të shenjtëruarit.
33 Nuk dëshirova as argjend, as ar as petka prej askujt.
34 Ju vetë e dini se për nevoja të mia e të shoqëruesve të mi kanë fituar këto duar të mia.
35 Në çdo pikëpamje ju tregova me shembull se duke punuar kështu, duhet t’u ndihmohet të paaftëve, duke na rënë në mend fjalët e Jezusit Zot: ‘Më i lum është ai që jep se ai që merr. ’”
36 Kur i kreu këto fjalë, u ul në gjunjë bashkë me të gjithë dhe u lut.
37 Të gjithë ia plasën vajit, e përqafuan dhe e puthën Palin,
38 të trishtuar thellë, sidomos për fjalën që u tha se nuk do ta shohin më fytyrën e tij.
Atëherë e përcollën deri në barkë.