1 Si u ndamë prej tyre, hymë në barkë. Duke lundruar drejt, arritëm në Kos, të nesërmen në Rod, e prej andej në Patarë.
2 Pasi gjetëm një barkë që udhëtonte për Fenici, hipëm në të dhe morëm shpinën e detit.
3 Kur dolëm përballë Qipros, e lamë në krahun e majtë e vazhduam për Siri. Zumë vend në Tir, se anijes i duhej të shkarkonte mallrat.
4 Pasi i gjetëm nxënësit, u ndalëm aty shtatë ditë. Ata, të nxitur prej Shpirtit Shenjt, i thoshin Palit të mos ngjitej në Jerusalem.
5 Porse, kur kaluan ditët, vazhduam udhën. Na përcollën të gjithë me gra e me fëmijë, deri jashtë qytetit. Në breg të detit u ulëm në gjunjë dhe u lutëm.
6 U përshëndetëm, hipëm në barkë e ata u kthyen në shtëpitë e veta.
7 Kështu i dhamë fund lundrimit: prej Tirit arritëm në Ptolemaidë. I përshëndetëm vëllezërit dhe zumë vend një ditë me ta.
8 Të nesërmen u nisëm për rrugë dhe mbërritëm në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filipit ungjilltar, që ishte një nga të Shtatët, dhe zumë vend tek ai.
9 Ky kishte katër vajza virgjëresha, të cilat kishin dhuratën e profecisë.
10 Gjatë qëndrimit tonë shumëditor aty, prej Judeje zbriti një profet që quhet Agab.
11 Ky erdhi ndër ne, mori brezin e Palit, lidhi këmbët e duart e veta dhe tha: “Kështu thotë Shpirti Shenjt: njeriun, brezi i të cilit është ky, çifutët po kështu do ta lidhin në Jerusalem dhe do t’ua dorëzojnë paganëve.”
12 Kur i dëgjuam këto fjalë, si ne ashtu edhe vendasit, filluam t’i lutemi Palit që të mos shkojë në Jerusalem.
13 Pali u përgjigj: “Pse po qani e po ma copëtoni zemrën? Unë jam gati, jo vetëm që të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për shkak të Emrit të Jezusit Zot.”
14 E pasi s’mundëm t’ia mbushnim mendjen, s’iu vumë më gjatë e thamë: “U bëftë vullneti i Zotit.”
15 Pas këtyre ditëve, u bëmë gati dhe po ngjiteshim në Jerusalem.
16 Bashkë me ne erdhën edhe disa nxënës nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e një farë Mnasoni, nga Qiproja, nxënës i vjetër, që të banojmë tek ai.
Pali i bën vizitë Jakobit
17 Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim.
18 Të nesërmen Pali, bashkë me ne shkoi te Jakobi, ku u mblodhën të gjithë udhëheqësit.
19 Pasi i përshëndeti, filloi t’u tregojë një nga një gjithçka kishte bërë Hyji me shërbesën e tij ndër paganë.
20 Ata, kur dëgjuan, i dhanë lavdërim Hyjit. Atëherë i thanë Palit: “Ti po sheh, o vëlla, se me mijëra hebrenj e kanë pranuar fenë e të gjithë janë ithtarë të flaktë të Ligjit.
21 Ata kanë dëgjuar për ty se ti i mëson hebrenjtë që jetojnë ndër paganë t’i bien mohit Moisiut dhe se ti thua se s’duhet t’i rrethpresin fëmijët as t’i mbajnë traditat e të parëve.
22 Pra, çka të bëjmë? Me siguri do të dëgjojnë se ke ardhur.
23 Bëj, pra, ç’po të themi! Këtu ndër ne janë katër vetë që janë kushtuar.
24 Merri me vete e bashkë me ta kryeje ritin e pastrimit. Paguaj ti çka lypet për qethjen e kresë. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se çka dëgjuan për ty s’është e vërtetë, por përkundrazi, se edhe ti je në të drejtën dhe se e mban Ligjin.
25 E, për sa u përket paganëve të kthyer në fe, ne ua patëm dërguar çka vendosëm: të ruhen nga mishi i kushtuar idhujve, prej gjakut e prej mishit të bagëtive të furura e të mbytura në ujë dhe prej fëlligështisë.”
26 Të nesërmen Pali i mori me vete ata njerëz, kreu bashkë me ta ritin e pastrimit, hyri në Tempull, caktoi ditën e fundit të pastrimit, kur për secilin prej tyre do të kushtohej flia.
Palin e arrestojnë në Tempull
27 Kur këto shtatë ditë po merrnin fund, disa hebrenj prej Azisë e hetuan Palin në Tempull, çuan peshë mbarë dhe e kapën
28 duke bërtitur: “Kushtrim, izraelitë! Ja, njeriu që gjithkund mëson gjithkënd kundër popullit tonë, kundër Ligjit dhe kundër këtij Vendi. Për më tepër i ka futur edhe grekët në Tempull dhe e ka dhunuar këtë Vend të shenjtë!”
29 Sepse e kishin parë bashkë me të në qytet Trofimin prej Efesit dhe mendonin se Pali do ta kishte futur në Tempull.
30 Mbarë qyteti u përzie dhe populli ngarendi prej çdo ane. E kapën Palin, e hodhën jashtë Tempullit dhe menjëherë i mbyllën dyert.
31 Ndërsa ata po donin ta vrisnin, shkoi lajmi te tribuni i kohortës se mbarë Jerusalemi është ngritur në kryengritje.
32 Tribuni menjëherë mori ushtarët dhe centurionët e shkoi tek kryengritësit. Këta, kur e panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.
33 Atëherë iu afrua tribuni e kapi dhe urdhëroi të lidhet me dy palë hekura. Pastaj nisi të pyesë kush është dhe çka ka bërë.
34 Prej turmës dikush bërtiste një gjë, dikush një tjetër. E pasi prej zhurmës s’mund të merrte vesh gjë të sigurt, dha urdhër të çohej në kështjellë.
35 Kur Pali ngjiti shkallët, u desh që ushtarët ta mbartnin para duarsh për shkak të shtyrjes së popullit;
36 sepse turma e popullit i shkonte pas dhe bërtiste: “Vritie!”
Pali mbron vetveten
37 Në atë çast kur po e shtinin në kështjellë, Pali iu drejtua tribunit:
“A kam leje të të them diçka?”
“Po a di ti greqisht? ‑ iu përgjigj tribuni ‑
38 Pse, a s’je ti ai egjiptiani, që para disa ditësh çoi në kryengritje e mori pas vetes në shkretëtirë ata katër mijë thikëtarë?”
39 Pali iu përgjigj:
“Unë jam hebre nga Tarsi i Cilicisë qytetar i qytetit të përmendur. Po të lutem më lejo t’ia them këtij populli dy fjalë.”
40 Kur ai i dha leje, Pali, prej shkallëve, me dorë i dha shenjë popullit e, kur u bë heshtje e plotë, foli hebraisht: