1 Edhe Sauli e dha pëlqimin e vet për vrasjen e Shtjefnit.
Sauli salvon Kishën
Po atë ditë u bë salvim i madh kundër Kishës në Jerusalem. Të gjithë, me përjashtim të apostujve, u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë e të Samarisë.
2 Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Shtjefnin dhe bënë gjëmë të madhe për të.
3 Ndërkaq, Sauli bënte çmosin për ta asgjësuar Kishën: hynte nëpër shtëpi, merrte burra e gra dhe i dorëzonte në burg.
Predikimi i Ungjillit në Samari
4 Ata, pra, të cilët qenë shpërndarë, shkonin prej një vendi në një vend tjetër dhe predikonin Fjalën.
5 Kështu Filipi zbriti në qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë.
6 Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte.
7 E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të lartë, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë.
8 Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.
9 Në atë qytet një njeri që quhej Simon për një kohë të gjatë merrej me mjeshtrinë e shortisë dhe e Samarisë e mashtronte duke thënë për vetveten se është njeri i madh.
10 Të gjithë, i madh e i vogël, ishin nën ndikimin e tij dhe thoshin: “Ky njeri është Fuqia hyjnore, ajo që quhet e ‘Madhe’.”
11 E dëgjonin sepse për një kohë të gjatë i mahniste duke bërë shorti të ndryshme.
12 Porse, kur i besuan Filipit që u predikonte Mbretërinë e Hyjit dhe Emrin e Jezusit Mesi ‑ pranuan të pagëzohen burra e gra.
13 Besoi edhe Simoni dhe, pasi u pagëzua, nuk i ndahej Filipit. Duke parë shenjat dhe mrekullitë që bëheshin, ishte i mahnitur.
14 Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin.
15 Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt,
16 sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit Zot.
17 Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt.
18 Kur Simoni pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Shpirti Shenjt, u ofroi apostujve të holla
19 duke thënë:
“Ma jepni edhe mua pushtetin që, kujt t’i vë duart, të marrë Shpirtin Shenjt.”
20 Pjetri iu përgjigj:
“Të hollat e tua dhe ty me to ju marrtë ezezëdita, kur të shkoi mendja se me të holla mund të fitohet dhurata e Hyjit!
21 Ti s’ke as pjesë as trashëgim në këtë gjë, sepse zemra jote s’është e drejtë para Hyjit.
22 Pendohu për këtë mbrapshti dhe lute Zotin se ndoshta të falet synimi i zemrës sate;
23 sepse po shoh se qenke ‘vrer i hidhur’ dhe ‘hekura të së keqes’”.
24 Simoni u përgjigj: “Lutjuni ju Zotit për mua që të mos më ndodhë gjë prej atyre që thatë.”
25 Dy apostujt, pasi dhanë dëshmi dhe predikuan fjalën e Hyjit, u kthyen në Jerusalem duke ungjillëzuar shumë fshatra të samaritanëve.
Filipi dhe oborrtari nga Etiopia
26 Engjëlli i Zotit iu drejtua Filipit dhe i tha: “Ngrihu e shko në jug udhës që shpie nga Jerusalemi për në Gazë; ajo është e shkretë.”
27 Ai u ngrit dhe shkoi. Dhe ja, një etiopas, oborrtar dhe funksionar i lartë i Kandacës, mbretëreshës së Etiopisë dhe mbarështues kryesor i të gjitha visareve të saj! Kishte qenë për shtegtim në Jerusalem
28 e po kthente. Ndenjur në karrocën e vet, po lexonte Isainë profet.
29 Atëherë Shpirti Shenjt i tha Filipit: “Shpejto e zëre atë karrocë!”
30 Filipi vrapoi dhe e dëgjoi se po lexonte Isainë profet. I tha:
“Vallë a vërtet e merr vesh atë që po lexon?”
31 “E si mundem ‑ iu përgjigj ai ‑ kur nuk e kam atë që të më udhëzojë?” dhe e grishi Filipin të hipte e të ulej afër tij.
32 Pjesa që po lexonte prej Shkrimit të shenjtë ishte kjo:
‘E çuan porsi delen që çohet në thertore,
ishte porsi qengji i pazë në duart e qethësit.
Nuk e çeli gojën e vet.
33 Në përvujtërimin e tij iu mohua e drejta.
Kush do ta përshkruajë fatin e tij?
Sepse jeta e tij hiqet nga toka.’
34 Atëherë oborrtari iu drejtua Filipit: “Të lutem për kë e thotë këtë profeci? Për vetveten apo për ndokënd tjetër?”
35 Atëherë Filipi mori fjalën e, duke u nisur prej këtij teksti të Shkrimit të shenjtë, ia kumtoi Ungjillin e Jezusit.
36 Duke udhëtuar kështu, arritën te një ujë dhe oborrtari tha:
“Qe ujët! Çka më pengon të pagëzohem?”[37]
38 Urdhëroi të ndalet karroca dhe të dy, Filipi e oborrtari, zbritën në ujë e Filipi e pagëzoi.
39 Kur dolën nga ujët, Shpirti i Hyjit e rrëmbeu Filipin dhe oborrtari nuk e pa më. Ai e vazhdoi rrugën e vet me gëzim,
40 kurse Filipi u gjend në Azot. Vazhdoi prej andej udhën duke predikuar Ungjillin nëpër të gjitha qytetet derisa arriti në Cezare.