1 Ndërkaq Sauli, që s’merrte frymë për tjetër veçse për t’u kërcënuar e për vrasje kundër nxënësve të Zotërisë, erdhi te kryeprifti
2 e kërkoi prej tij letrat për sinagogat e Damaskut, në mënyrë që, nëse do të gjejë ndokënd të kësaj Udhe, burra e gra, të mund t’i sjellë të lidhur në Jerusalem.
3 Kur, duke udhëtuar, iu afrua Damaskut, papritmas e shndriti një dritë prej qiellit.
4 U rrëzua për tokë dhe dëgjoi një zë që i tha:
“Saul, Saul, pse po më salvon?”
5 Ai pyeti: “Kush je ti, Zotëri?”
E Ai: “Unë jam Jezusi që ti e salvon!
6 Më mirë ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të tregohet se çka duhet të bësh!”
7 Bashkudhëtarët e tij, të habitur, zunë vend pa folur asnjë fjalë, sepse vërtet e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd.
8 Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte hapur sytë, nuk shihte asgjë. E shtinë në Damask duke e marrë për dore,
9 dhe për tri ditë as nuk pa as nuk hëngri as nuk piu.
10 Në Damask ishte një nxënës që quhej Anani. Këtij Zoti i tha në vegim:
“O Anani!”
“Urdhëro, o Zot” ‑ u përgjigj ai.
11 “Çohu ‑ i tha Zoti ‑ dhe shko në rrugën që quhet: ‘E drejtë’ e në shtëpinë e Judës lype njeriun prej Tarsit që quhet Saul. Ai tani po lutet,
12 dhe e pa [në vegim] një njeri që quhet Anani duke hyrë tek ai dhe duke i vënë duart për t’ia rikthyer dritën e syve.”
13 “O Zot ‑ iu përgjigj Anania ‑ prej shumëkujt kam dëgjuar për atë njeri sa shumë të këqija u ka bërë shenjtërve të tu në Jerusalem.
14 Ai ka edhe fuqizimin prej kryepriftërinjve për të lidhur në hekura të gjithë ata që e thërrasin Emrin tënd.”
15 “Shko ‑ iu përgjigj Zoti ‑ sepse ai është vegla ime, që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur Emrin tim para popujve paganë, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit.
16 Jo po, unë vetë do t’i tregoj se sa shumë do t’i duhet të pësojë për shkak të Emrit tim!”
17 Anania shkoi, hyri në shtëpi e, duke ia vënë duart, i tha: “Vëlla Saul, Zotëria Jezus, që t’u dëftua në udhë kur ishe duke ardhur këtu, më dërgoi që ta rifitosh dritën e syve e të mbushesh me Shpirtin Shenjt.”
18 Dhe aty për aty i ra diçka prej syve si pare peshku dhe menjëherë iu kthye drita e syve, u ngrit dhe qe pagëzuar,
19 hëngri dhe u përtëri në fuqi.
Sauli predikon në Damask
I kaloi disa ditë bashkë me nxënës në Damask
20 dhe menjëherë filloi të predikojë në sinagoga se Jezusi është Biri i Hyjit.
21 Të gjithë ata që e dëgjonin, mrekulloheshin e thoshin: “Po a nuk është ky ai që në Jerusalem mundohej t’ua tresë farën atyre që e thërrisnin në ndihmë këtë Emër? Po a nuk erdhi edhe këtu për t’i çuar të lidhur në hekura para kryepriftërinjve?”
22 E Sauli merrte gjithnjë më tepër zotësi dhe i hutonte hebrenjtë që banonin në Damask duke ua vërtetuar se Jezusi është Mesia.
Sauli shpëton nga hebrenjtë
23 Pasi kaloi mjaft kohë, hebrenjtë vendosën ta vrasin Saulin,
24 por Sauli e hetoi synimin e tyre. Ditë e natë hebrenjtë i ruanin dyert e qytetit për ta mbytur,
25 por një natë nxënësit e tij e morën dhe, në një shportë, e zbritën poshtë nëpër mur.
Sauli në Jerusalem
26 Kur erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënës, porse të gjithë ia kishin drojën sepse nuk mund ta besonin se me të vërtetë ishte bërë nxënës.
27 Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi te apostujt dhe u tregoi se Sauli e kishte parë Zotërinë gjatë një udhëtimi, se si Jezusi foli me të dhe se si Sauli ka predikuar me plot guxim në Damask në Emër të Jezusit.
28 Që atëherë shkonte e vinte bashkë me ta nëpër Jerusalem dhe predikonte me vendosmëri në Emër të Zotërisë.
29 U drejtohej edhe hebrenjve që flisnin greqisht dhe diskutonte me ta, por edhe ata synonin ta vritnin.
30 Kur e morën vesh këtë gjë vëllezërit, e përcollën deri në Cezare e së andejmi e nisën për Tars.
31 Kisha, pra, ishte në paqe në mbarë Judenë, Galilenë e Samarinë; ndërtohej dhe përparonte në frikën e Zotërisë dhe rritej në saje të hirit të Shpirtit Shenjt.
Shërimi i Eneut
32 Pjetri që vizitonte të gjitha vendet, një ditë u ul edhe ndër shenjtërit që banonin në Lidë.
33 Aty gjeti një njeri që quhej Ene, i cili për tetë vjet s’ngrihej nga shtrati: ishte i paralizuar.
34 Pjetri i tha. “Ene, po të shëron Jezu Krishti! Ngrihu dhe rregulloje vetë shtratin tënd!” Ai aty për aty u ngrit.
35 Të gjithë banorët e Lidës e të Saronit e panë mrekullinë dhe besuan në Zotin.
Pjetri ngjall Shutën
36 Jetonte në Jopë një nxënëse e quajtur Tabita, që në gjuhën tonë do të thotë Shutë. Ishte e pasur me vepra të mira dhe me lëmoshë që jepte.
37 Pikërisht në ato ditë u sëmur dhe vdiq. Pasi e lanë, e vendosën në dhomën e sipërme.
38 E, pasi Lida nuk është larg Jopës, nxënësit, kur morën vesh se Pjetri gjendej atje, dërguan dy vetë me këtë lutje: “Mos vono e eja ndër ne.”
39 Pjetri u çua e shkoi me ta. Posa arriti, e çuan në dhomën e sipërme. Atëherë e rrethuan duke qarë të gjitha vejushat dhe i tregonin veshjet dhe petkat që i kishte punuar Shuta kur ende ishte me to.
40 Pjetri i nxori jashtë të gjithë, ra në gjunjë në lutje. Pastaj u soll drejt kufomës dhe tha: “Tabitë, çohu!” Ajo hapi sytë, shikoi Pjetrin dhe u ndreq ndenjur.
41 Pjetri i dha dorën dhe e ngriti. Atëherë thirri shenjtërit dhe vejushat e ua tregoi të gjallë.
42 Mbarë Jopa e mori vesh ngjarjen dhe shumë besuan në Zotërinë.
43 Pjetri qëndroi për një kohë të gjatë në Jopë, në shtëpinë e një lëkurëtari të quajtur Simon.