< Zan 10 Zan 12 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 11)
11

1 Mbarë toka kishte vetëm një gjuhë dhe fjalët e njëjta.

2 Kur u çuan prej lindjes, gjetën një fushë në dheun e Senaarit dhe aty ngulën banimin.

3 I thanë njëri‑tjetrit:

“Ejani të presim tulla dhe t’i pjekim në zjarr”.

Tullat i përdorën në vend të gurëve e bitumin në vend të llaçit.

4 Dhe thanë: “Ejani ta ngrehim për vete një qytet dhe pirg, maja e së cilës do të prekë qiellin. T’ia rrisim vetes zërin që të mos shpërndahemi faqes së dheut”.

5 Zoti zbriti përmbi tokë për të parë qytetin dhe pirgun që e ndërtuan njerëzit.

6 Zoti tha: “Njëmend qenkan një popull dhe paskan vetëm një gjuhë! Ky është fillimi i veprimtarisë së tyre dhe tani e tutje nuk do ta kenë vështirë të kryejnë gjithçka të synojnë.

7 Ejani, pra, të zbresim e t’ua pështjellojmë këtu gjuhën e tyre, që të mos mund të merren vesh njëri me tjetrin”.

8 Prej andej Zoti i shpërndau nga ai vend mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.

9 Prandaj edhe quhet Babel, sepse aty u pështjellua gjuha e mbarë tokës dhe prej andej Zoti i shpërndau mbi faqen e dheut.

10

Këta janë pasardhësit e Semit:

Semi kishte njëqind vjet kur i lindi Arfaksadi dy vjet pas përmbytjes.

11 Semi jetoi, pasi i lindi Arfaksadi, pesëqind vjet dhe i lindën djem e vajza.

12 Kurse Arfaksadi kishte tridhjetë e pesë vjet kur i lindi Saleu.

13 Arfaksadi jetoi, pasi i lindi Saleu, katërqind e tre vjet dhe i lindën djem e vajza.

14 Saleu kishte tridhjetë vjet kur i lindi Heberi.

15 Saleu jetoi, pasi i lindi Heberi, katërqind e tre vjet dhe i lindën djem e vajza.

16 Heberi kishte tridhjetë e katër vjet kur i lindi Falegu.

17 Heberi jetoi, pasi i lindi Falegu, katërqind e tridhjetë vjet dhe i lindën djem e vajza.

18 Edhe Falegu kishte tridhjetë vjet dhe i lindi Reu.

19 Falegu jetoi, pasi i lindi Reu, dyqind e nëntë vjet dhe i lindën djem e vajza.

20 Reu kishte tridhjetë e dy vjet kur i lindi Sarugu.

21 Edhe Reu jetoi, pasi i lindi Sarugu, dyqind e shtatë vjet dhe i lindën djem e vajza.

22 Sarugu kishte tridhjetë vjet kur i lindi Nahori.

23 Edhe Sarugu jetoi, pasi i lindi Nahori, dyqind vjet dhe i lindën djem e vajza.

24 Nahori kishte njëzet e nëntë vjet kur i lindi Tareu.

25 Nahori jetoi, pasi i lindi Tareu, njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet dhe i lindën djem e vajza.

26 Tareu kishte shtatëdhjetë vjet kur i lindi Abrami, Nahori e Arani.

27

Këta janë pasardhësit e Tareut:

Tareut i lindi Abrami, Nahori e Arani. Aranit i lindi Loti.

28 Arani vdiq para babait të vet, Tareut, në vendlindjen e vet, në Ur të Kaldenjve.

29 U martuan edhe Abrami e Nahori. Gruaja e Abramit quhej Sarajë, kurse gruaja e Nahorit Melhë. Ishte bija e Aranit, e t’et të Melhës dhe të Jeskës.

30 Saraja ishte beronjë dhe nuk kishte fëmijë.

31 Tareu mori të birin, Abramin, dhe Lotin, birin e Aranit, të birit të vet edhe Sarajën, renë e vet, gruan e Abramit, të birit të vet dhe i nxori nga Uri i Kaldenjve për të shkuar në dheun e Kanaanit. Arritën në Harran dhe aty ngulën.

32 Mosha e Tareut kapi dyqind e pesë vjet e atëherë vdiq në Harran.



Fjala e Zotit