< Zan 12 Zan 14 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 13)
13

1 Abrami prej Egjiptit u kthye në Nageb e bashkë me të edhe gruaja e tij me gjithë ç’kishte dhe Loti.

2 Abrami ishte shumë i pasur. Kishte bagëti, argjend dhe ar.

3 Pastaj prej zemërimie në zemërimië, prej Nagebit shkoi në Betel, deri në atë vend ku më parë kishte ngulur çadrën ndërmjet Betelit e Hajit,

4 në vendin e lterit që kishte ndërtuar më parë dhe aty e thirri në ndihmë emrin e Zotit.

5 Por edhe Loti, që e përcillte Abramin, kishte shumë grigja delesh dhe shumë gjedhe e çadra:

6 sikur të jetonin bashkë, as vendi nuk mund t’i zinte: sepse kishin gjë të madhe e nuk mund të jetonin bashkë.

7 Këndej edhe shpërtheu grindja ndërmjet barinjve të grigjave të Abramit me barinjtë e grigjave të Lotit. Aso kohe në atë vend jetonin kanaanët e ferezenjtë.

8 Prandaj, Abrami i tha Lotit:

“Të lutem, të mos grindemi unë e ti ndër veti, të pushojnë grindjet ndërmjet barinjve të mi e barinjve të tu: sepse jemi vëllezër!  

9 A nuk e ke parasysh tërë këtë vend? Ndahu prej meje, po të lutem! Nëse ti do të shkosh në të majtën, unë do të marr të djathtën; nëse ti do të zgjedhësh të djathtën, unë do të shkoj në të majtën”.

10 Loti i çoi sytë dhe shikoi e pa se krejt lugina e Jordanit, që e tëra ujitej ‑ para se Zoti ta shpartallonte Sodomën e Gomorrën ‑ ishte si kopshti i Zotit dhe si Egjipti, deri në Segor.

11 Loti e zgjodhi për vete mbarë krahinën e Jordanit dhe shkoi në lindje; kështu u ndanë njëri prej tjetrit.

12 Abrami jetoi në dheun e Kanaanit, kurse Loti zuri vend në qytete të luginës së Jordanit dhe çoi çadrat deri në Sodomë.

13 Sodomasit ishin njerëz shumë të këqij dhe mëkatarë të mëdhenj para Zotit.

14 Zoti i tha Abramit, pasi Loti u nda nga ai: “Çoji sytë e tu dhe nga vendi ku je tani, shiko drejt kah veriu e jugu e drejt kah lindja e perëndimi:

15 Krejt tokën që po e sheh, do ta jap ty dhe farës sate për jetë e mot.

16 Farën tënde do ta shtoj porsi pluhurin e tokës: ai që do të mund ta numërojë pluhurin e tokës, ai do ta numërojë edhe farën tënde.

17 Çohu dhe bjeri tokës për së gjati dhe për së gjeri, sepse do ta jap ty”.

18 Abrami e çoi çadrën e vet e erdhi dhe e nguli te Qarret Mambre, që janë në Hebron. Aty e ndërtoi një lter në nder të Zotit.



Fjala e Zotit