1 Pas këtyre ngjarjeve, fjala e Zotit i qe drejtuar Abramit në një vegim. I tha: “Abram, mos ki frikë! Unë jam mbrojtësi yt! Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh”!
2 Abrami u përgjigj: “O Zot, Hyj, ç’më duhen dhuratat e tua, pasi shkoj i shuar pa pasardhës dhe trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri prej Damaskut”.
3 Dhe Abrami vazhdoi: “Ja, po sheh se nuk më dhe pasardhës dhe ja, një rob i shtëpisë do të më trashëgojë”.
4 Atëherë Zoti i tha këto fjalë: “Ky nuk do të jetë, trashëgimtari yt do të jetë pinjolli yt që do të rrjedhë prej teje”.
5 Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroji yjet, po munde”! Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu”.
6 Abrami i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi.
7 I tha edhe: “Unë jam Zoti që të nxora nga Uri i Kaldesë për ta dhënë këtë tokë pronë”.
8 Abrami i tha: “O Zot, Hyj, nga mund ta di se ajo do të jetë prona ime”.
9 Zoti u përgjigj: “Ma gjej një mështjerrë tri vjeçe dhe një dash tri vjeç, një turtull dhe një pëllumb”.
10 Abrami i mori këto të gjitha dhe i preu për mjedis dhe secilën prej gjysmave e vendosi përballë njërën tjetrës. Shpendët nuk i preu.
11 Shpendët grabitqarë lëshoheshin mbi kufoma, por Abrami i dëbonte.
12 Në të perënduar të dielli, Abramin e lodhi gjumi dhe, ja, e kaploi një tmerr i madh dhe e mbështolli një errësirë e dendur.
13 I qe thënë: “Dije mirë që tani se pasardhësit e tu do të jetojnë në një vend të huaj dhe atje do t’i bëjnë skllevër dhe do t’i shtypin e mundojnë plot katërqind vjet.
14 Përnjëmend, popullin, të cilit do t’i shërbejnë, unë do ta gjykoj dhe, së fundi, ata do të dalin me pasuri të madhe.
15 Ti do të shkosh tek etërit e tu në paqe, i varrosur në pleqëri të thellë.
16 Në të katërtin brez, pasardhësit e tu do të kthehen këtu: sepse ende nuk janë mbushur keqbërësitë e amorrenjve.
17 Kur perëndoi dielli, u bë një terr i zi, u duk një tangar i ndezur dhe flakadani i përshkoi ato pjesë.
18 Atë ditë Zoti lidhi këtë besëlidhje me Abramin:
“Këtë tokë do t’ia jap farës sate
prej lumit të Egjiptit
deri në Lumin e madh ‑ Eufrat:
19 cinenjtë e cenezenjtë, cedmonenjtë
20 hetenjtë, ferezenjtë dhe rafaimët,
21 amorrenjtë, kananenjtë, gergezenjtë e jebusenjtë”.