1 Kur Abrami i mbushi nëntëdhjetë e nëntë vjet, iu dëftua Zoti dhe i tha:
“Unë jam Hyji i gjithëpushtetshëm!
Ec para meje
dhe ji i përsosur!
2 Po bëj besëlidhje
ndërmjet meje e teje
dhe do të bëj të shtohesh shumë,
pa masë shumë”!
3 Abrami ra me fytyrë përdhe.
4 Dhe Hyji i tha:
“Ja, marrëveshja ime me ty:
Do të bëhesh trungu i popujve të shumtë.
5 Nuk do ta kesh më emrin Abram,
por emri yt do të jetë Abraham,
sepse të bëra babë të shumë kombeve.
6 Do të bëj të shtohesh shumë, tejet shumë,
prej teje do të bëj të rrjedhin popuj,
dhe prej teje do të lindin mbretër.
7 Do të bëj besëlidhje me ty
ndërmjet meje e teje,
dhe pas teje me breznitë që do të rrjedhin prej teje.
Kjo besëlidhje e përhershme
mua do të më bëjë Hyjin tënd
dhe Hyjin e pasardhësve të tu pas teje.
8 Ty dhe pasardhësve të tu pas teje,
do t’ua jap tokën e çojeve të tua,
mbarë dheun e Kanaanit, pronë të përhershme.
Dhe unë do të jem Hyji i tyre”.
9 Hyji i tha përsëri Abrahamit: “Ti duhet ta ruash besëlidhjen time, po ashtu edhe pasardhësit e tu brez pas brezit.
10 Ja, besëlidhja ime që duhet ta mbani ndërmjet meje e juve, d. m. th. ndërmjet pasardhësve të tu pas teje: të gjithë meshkujt e tu do të rrethpriten:
11 do ta rrethprisni lëkurën e gjymtyrës tuaj, që të jetë shenjë besëlidhjeje ndërmjet meje dhe juve.
12 Foshnja tetëditëshe ndër ju le të rrethpritet: çdo mashkull brezni pas breznie si ai që lind në shtëpi si ai që blehet me para prej çdo të huaji, që nuk është i fisit tuaj.
13 Le të rrethpritet edhe skllavi i lindur në shtëpi ose i blerë. Besëlidhja ime do të bëhet në mishin tuaj, besëlidhje e përhershme.
14 Mashkulli, i cili nuk do të rrethpritet, le të shfaroset prej popullit të vet: ai e thyen besëlidhjen time”.
15 Hyji i tha gjithashtu Abrahamit: “Sarajën, gruan tënde, nuk do ta thërrasësh më me emër Sarajë, sepse emri i saj do të jetë Sarë.
16 Unë do ta bekoj dhe edhe prej saj do të të fal një djalë. Unë do ta bekoj dhe prej saj do të rrjedhin popuj; prej saj do të lindin mbretërit e popujve”.
17 Abrahami ra me fytyrë për dhe dhe u qesh duke menduar më vete: “Vallë, a këtij qindvjeçari do t’i lindë djalë? Po a thua Sara nëntëdhjetë vjeçe do të lindë”?
18 I tha Hyjit: “E paça me jetë Ismaelin”!
19 E Hyji i tha: “Sara, gruaja jote, do të lindë djalë dhe ngjitja emrin Izak. Do të lidh besëlidhje me të, një besëlidhje të përhershme, si edhe me farën e tij pas tij.
20 Edhe për Ismaelin ta dëgjova lutjen: ja, do ta bekoj, do ta bëj të shtohet e të shumohet tesve; prej tij do të lindin dymbëdhjetë prijës dhe prej tij do të rrjedhë një popull i madh.
21 Por, besëlidhjen time do ta lidh me Izakun që do ta lindë Sara po në këtë kohë sot një vjet”.
22 Kur Hyji e kreu bisedën me Abrahamin, prej Abrahamit u ngrit lart.
23 Atëhere Abrahami e mori Ismaelin, djalin e vet, dhe të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij si dhe të gjithë ata që i kishte blerë: të gjithë meshkujt e shtëpisë: po atë ditë të gjithëve ua rrethpreu lëkurën e gjymtyrës së tyre siç i kishte urdhëruar Hyji.
24 Abrahami kishte nëntëdhjetë e nëntë vjet kur e rrethpreu lëkurën e gjymtyrës së vet.
25 Ismaeli ishte trembëdhjetë vjeç kur u rrethpre.
26 Të njëjtën ditë u rrethpre Abrahami dhe djali i tij, Ismaeli.
27 Po ashtu edhe të gjithë meshkujt e shtëpisë së tij, qoftë të lindur në shtëpi të tij, qoftë të blerë prej të huajve: edhe ata u rrethprenë me të.